Mediumi Storm• boton një cikël poezish të poetit Valon Rashica.
PA TY
Shushurima të shurdhëta përmbyten
në shkretëtirën e madhe të vetmisë,
para syrit të mallit
çdo gjë merr një trajtë tjetër.
Deri tek kambana e pëshpëritjes tënde,
a do ta di:
cila hënë do ta ndriçojë
shtegun e ëndrrës sime
dhe cili shi do të ma kujtojë
takimin e parë me ty?
MALE
E kaluara në ju është ngrirë
e megjithatë zëri i saj diku dëgjohet.
Hordhi të egra në njërën anë
dhe luftëtarë të denjë përballë
afër gurit, afër varrit.
E kaluara në ju është ngrirë
si në një muze
dëshmi brezash në shekuj.
E PREMTJA
E premtja gjason
me paralagjet e këtij qyteti;
ajo ka aromën e vendtakimeve të dikurshme,
që kaq vjet rikthehen si peizazhe malli,
dhe thuren si parathënie
të pritjes sime për ty.
PERËNDIMI I DIELLIT
Në vargun tim
gjurma e gjakut që ndjek
në shtegun e ëndrrës
Në ëndrrën time
loti i zjarrtë që rrjedh
në fund të pritjes.
DËSHMORËT
Në një gur kujtimi
ata janë emrat e kërkuar
nga sytë tanë
mbi vitet e mbushura
me etjen e gjatë për liri,
jo vetëm në ditët që i shkruajmë
me dhimbje e lavdi.
HËNA
Ëndrrave të zjarrta
do t’u japë edhe më shumë dritë
e do ta përhapë kudo
nëpër fushat dhe lëndinat e natës
ndriçimin e saj
Ajo di
dhe e kupton mirë
lojën e fshehtë të dashurisë.
MBRËMJET
Gjithnjë vijnë me një mall të ri
e të mbështjellura me ngushëllim të vjetër,
ato janë oksimorone nëpër të cilat
kaq vjet e kërkojmë njëri-tjetrin,
parabola që na ftojnë
të marrim pjesë në lojën e bukur të kujtimit
dhe të shpresojmë.
MIDIS NESH
Midis nesh është një largësi
që e njeh vetëm hëna,
kaq vjet ajo m‘i lexon ëndrrat
dhe kam frikë
mos një ditë do të tregojë
për dhimbjen time.
E DIEL
E gjatë është rruga
ndërmjet heshtjes dhe kambanave që do të bien
e bukur është heshtja
ndërmjet pritjes dhe kthimit me emrin tënd
i gjatë dhe i bukur është edhe kujtimi
me të cilin e shkruaj të dielën time
në të cilën tashmë ti ke hyrë.
PRISHTINË
Diku në rrugët e tua
ende merr frymë malli im
kur si fëmijë mendoja
se bota në horizontin tënd mbaron
për të vazhduar rrugën drejt yjeve.



