Përveç çmimeve të produkteve elementare, qytetarët e Kosovës po ballafaqohen edhe me çmimet e derivateve. Për mbi 40 centë është ngritur çmimi i një litri nafte për rreth 3 javë.
Aktualisht një litër po sillet rreth 1 euro e 60 centë. Nuk është përjashtuar mundësia që çmimet të ngrihen edhe më tej. Për dallim nga Kosova, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbajë çmimet më të lira në rajon.
Në këtë situatë, njohës të ekonomisë thonë se nëse ngritja e çmimeve të derivateve vazhdon, mund të ngrihen edhe çmimet e produkteve të tjera.
Për më pak se një muaj, çmimet e naftës janë ngritur për më shumë se 40 centë në Kosovë. Aktualisht çmimet po sillen deri në rreth 1 euro e 60 centë.
Nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i kanë thënë RTK-së se çmimet po caktohen në bazë të bursës ndërkombëtare, teksa kanë paralajmëruar edhe më tej ngritje.
Ndërsa, Inspektorati i Tregut tashmë ka shqiptuar gjoba për dy kompani që nuk kanë respektuar vendimin për caktimin e marzhës në fitim.
Përfaqësues të bizneseve theksojnë se Kosova është vend i ndjeshëm ndaj zhvillimeve që ndodhin në botë. Kjo për shkak edhe të varësisë nga importi.
Skënder Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë theksoi se çdo luftë, çdo situatë, përkeqësimi i situatës në botë ndikon direkt edhe indirekt në vendin tonë.
“Ne e kemi parë dhe me rastin e Ukrainës pavarësisht që raportet tona me Ukrainën kanë qenë tregtare shumë të vogla. Domethënë ka qenë një shumë simbolike, lufta ndikoi indirekt në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera të cilat afektohen jashtëzakonisht shumë në vendin tonë”, tha ai.
Sipas njohësve të ekonomisë, varësia nga importi dhe ngritja e çmimeve të derivateve mund të ndikojnë edhe në shtrenjtimin e produkteve tjera.
“Sigurisht që vendet që importohen siç është Kosova janë me potencial edhe me rritje të çmimit njëkohësisht edhe në varje nga situata që tashmë veç e kemi në arenën ndërkombëtare për shembull luftërat e ndryshme edhe menjëherë zinxhiri i furnizimit në Kosovë shtrenjtohet dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thotë Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.
Nga Ministria e Industrisë kanë potencuar se çmimet e derivateve janë ngritur edhe në bursën ndërkombëtare, andaj kjo është reflektuar edhe në Kosovë. Megjithatë, nga MINT kanë theksuar se inspektorët janë duke e mbikëqyrur tregun në mënyrë që mos të ketë keqpërdorime. Për dallim nga Kosova, Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë çmimet më të ulëta në rajon sa u përket derivateve të naftës.



