Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacioni i ndërlikuar për nxjerrjen e trupit të pajetë të një personi që kishte rënë në një pus në fshatin Lybeniq, komuna e Pejës.
Sipas njoftimit dje ShKShMK ka pranuar një thirrje urgjente nga Policia e Kosovës lidhur me një incident të ndodhur gjatë punimeve për pastrimin e pusit, ku një person kishte humbur jetën si pasojë e rënies në të.
Menjëherë pas pranimit të thirrjes, ekipet e Kërkim-Shpëtimit Malor janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë filluar operacionin në bashkëpunim të ngushtë me njësitet e Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente.
Sipas ShKShMK-së, për shkak të thellësisë së pusit, pranisë së gazrave toksikë dhe mungesës së oksigjenit, operacioni ka qenë tejet sfidues dhe ka kërkuar koordinim të lartë teknik dhe profesional. Nxjerrja e trupit të viktimës është realizuar me sukses falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës dhe njësisë së specializuar të Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
ShKShMK ka falënderuar të gjitha palët e përfshira për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij operacioni të ndjeshëm.