Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut i është përgjigjur interesimit të mediave në lidhje me deklaratën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Ky i fundit kishte deklaruar se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, gjendet diku në trevat shqiptare dhe se i njëjti do të kthehet kur të sigurohet që nuk ka drejtësi selektive.
“Prokuroria Publike ka lëshuar urdhër për lëshimin e fletarrestimit kombëtar dhe ndërkombëtar për të dyshuarin. Autoritetet vendase dhe ndërkombëtare të ngarkuara me ekzekutimin e këtyre urdhrave kanë të gjithë autoritetin për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të gjurmuar personin, duke përfshirë thirrjen dhe intervistimin e personave të tjerë që mund të kenë ndonjë njohuri për vendndodhjen e të dyshuarit”, thonë nga PTHP.
Deklaratave të Ahmetit, u është përgjigjur edhe kryeministri maqedonas, Mickoski.
Mickoski shpreson që deklaratat e Ali Ahmetit për vendndodhjen e Artan grubit, të arrijnë deri te Prokuroria.
Ai tha se ka procedurë juridike nëse dikush jep informacione në lidhje me vendndodhjen e ndonjë të arratisuri nga drejtësia.
“Unë shpresoj që këtë ta dëgjojë Prokuroria. Dhe ka procedurë juridike, në të cilën nëse kemi person që e di se ku gjendet i arratisuri nga ligji, që do ta ftojë atë person, që duhet të japë përgjigje në pyetjen se ku gjendet i arratisuri nga drejtësia”, tha mes tjerash Mickoski.