Deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-Nisma-s, kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili parasheh largimin e rreth 1300 kompanive nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike dhe kalimin e tyre në tregun e lirë nga 1 qershori 2025.
Deputetët shprehen të shqetësuar për ndikimin që ky vendim do të ketë në bizneset e vogla dhe të mesme, duke paralajmëruar se rritja e çmimit të energjisë deri në 260% rrezikon mbylljen ose falimentimin e shumë prej tyre.
“Në mungesë të konkurrencës reale në tregun e lirë, një vendim i tillë do të godasë rëndë ekonominë e vendit dhe do të cenojë stabilitetin energjetik,” thuhet në kërkesën zyrtare të dorëzuar më 9 maj 2025.
Deputetët u bëjnë thirrje edhe kolegëve të tjerë që t’i bashkohen kësaj nisme, ndërsa ZRRE ende nuk ka komentuar publikisht mbi kërkesën.




