Të paktën 40 persona — shumica adoleshentë ose në të 20-at — kanë humbur jetën dhe rreth 115 të tjerë janë lënduar rëndë, pasi një zjarr shpërtheu gjatë festës së Vitit të Ri në një bar në një resort në Alpet zvicerane.
Ndërsa shkaku i zjarrit në barin në komunën e Crans-Montana vazhdon të hetohet, NBC News ka analizuar video dhe imazhe nga nata e tragjedisë. Ato përfshijnë edhe një pamje ku pjesëmarrësit e festës mbajnë lart shishe që duken si shishe shampanje të pajisura me shkëndija (sparklers); por teksa bëjnë dolli, shtresa e izolimit akustik prej shkume që vesh tavanin e ulët të lokalit shihet duke u djegur.
Një video tjetër e tregon zjarrin edhe më të përhapur: personi që filmon kthehet me shpejtësi dhe vrapon lart nëpër shkallë drejt daljes, duke u bërë thirrje të tjerëve të nxitojnë ose të hapin rrugë.
Sipas dëshmitarit okular Samuel Rapp, dalja u shndërrua në një skenë të frikshme. “Shumë njerëz po bërtisnin dhe ishte e tmerrshme,” tha ai për partnerin britanik të NBC News, Sky News. “Njerëzit po shkelin mbi njëri-tjetrin,” shtoi ai, duke treguar se “pa shumë njerëz në dysheme dhe mendoj se këta njerëz ishin të vdekur, sepse dikush u kishte vënë xhaketa mbi fytyrë.”
Hetuesit zviceranë besojnë se fishekzjarret shkaktuan zjarrin fatal



