spot_img
E premte, 24 Tetor, 2025
14:09
HomeKosovaDrejtësiaDështon seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Kostiq dhe Miloviq

Dështon seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Kostiq dhe Miloviq

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, pasi pala mbrojtëse kërkoi shtyrjen e saj.

Sipas mbrojtjes, përkthimin në serbisht i deklaratës së dëshmitarit që ishte paraparë të dëgjohej sot, e kanë pranuar vetëm disa minuta para fillimit të seancës.

- Advertisement -

Avokati i palës mbrojtëse, Predrag Milkoviq, deklaroi se marr parasysh këto rrethana, mbrojtja nuk pranon që kjo seancë të vazhdoj.

“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, tha ai.

- Advertisement -

Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të bëhet për të mos vonuar procesin gjyqësor.

“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave në kompjuter, për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër,” tha ajo.

Avokati Milkoviq e kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se dëgjimi i dëshmitarit nuk është i arsyeshëm në këtë fazë të procesit.

“Konsideroj që nuk është e udhës që ta dëgjojmë këtë dëshmitar. I kam marrë të gjitha shkresat, procesverbalet, dëshmitarët që kanë dhënë deklaratat e tyre. Kjo deklaratë është dhënë ditën e ngritjes së aktakuzës, 15 ditë pas ngritjes së aktakuzës, dhe po e kundërshtojmë dëgjimin e dëshmitarit sot”, tha ai.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Lutfi Shala, nëse ekziston ndonjë mundësi që seanca të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit nga ana e prokurorisë, avokati Milkoviq u përgjigj

“Unë e kam bërë një herë për prokurorin, nuk do ta bëjë dy herë për prokurorin”, tha ai.

Pas diskutimeve, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, mori vendimin që seanca të shtyhet.

“Vlerësojmë që sot nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor dhe i jepet kohë që të lexohet deklarata,” tha ai, raporton Ekonomia Online.

Sot ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.

Të akuzuarit Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq ngarkohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit në Kosovë.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat