Dimri që po vjen, në kuptimin politik, duket sikur ka kaluar pa vjeshtë – pa atë periudhë të përgatitjes, të ndryshimeve dhe të paralajmërimit të kohëve më të ftohta. Zhvillimet në Kosovë janë të ngarkuara me tensione ekonomike dhe një qeveri që po ndërmerr vendime të ftohta dhe shpesh të palogjikshme për mirëqenien e qytetarëve, ndërsa një opozitë e fjetur dhe pa zë për shumë çështje kritike vazhdon të qëndrojë në hije, duke pritur.
Qeveria e Kosovës ka sjellë zhvillime të ftohta ekonomike, pa ndonjë përpjekje të dukshme për t’i përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët. Nuk kemi parë përparim në uljen e çmimeve, ngritjen e pagave apo përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë. Në vend të kësaj, qytetarët përballen me një rritje të kriminalitetit, vrasjeve mes qytetarëve dhe një polici që është e dobët, pa logjistikë dhe mjete për të përmbushur detyrat e përditshme.
Përveç kësaj, investimet në infrastrukturë dhe investimi në funksionalizimin e Zonave Ekonomike janë lënë pas dore. Qeveria nuk po përballet me realitetin e halleve të qytetarëve në qendër të Kosovës, por duket se është përqendruar vetëm në çështje të Veriut të vendit dhe në marrëdhëniet me Serbinë, përmes dialogut. Opozita është turrur pas takimeve në diasporë, duke mos i shtri dorën e prezentimit të vetes këtu në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar për vitin e ardhshëm, por opozita duket sikur ka mbetur në një gjendje letargjie, pa alternativa të qarta dhe me një mungesë të theksuar të zërit dhe zgjidhjeve pragmatike që duhet të ofrojë.
Opozita duhet të kishte qenë më e zëshme përballë këtyre dështimeve. Ajo ka për detyrë të ofrojë një alternativë të qartë për të ardhmen e Kosovës, por deri më tani duket se është e ngatërruar në retorikë të vakët dhe në një mungesë të një vizioni të qartë. Sikur zgjedhjet të ishin përfunduar dje, partitë opozitare ende sillen sikur janë larg fushatës që i pret në shkurtin e 2025-s.
Në këtë kontekst, krahasimi me një “dimër pa vjeshtë” është mëse i përshtatshëm. Ashtu si një dimër i ftohtë dhe i thatë, ku nuk ka pasur përgatitje apo përmirësime gjatë vjeshtës, mungesa e veprimeve konkrete nga qeveria dhe opozita sjell një të ardhme të ngrirë për vendin. Pa shiun dhe temperaturat normale të vjeshtës, nuk ka fryte për t’u korrur. Kështu, qytetarët e Kosovës rrezikojnë të mbeten në një situatë ku asgjë nuk përmirësohet, dhe shumë prej tyre po kërkojnë rrugën më të shpejtë dhe më të lehtë për të braktisur vendin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë diku tjetër.
Nëse qeveria nuk merr hapa konkretë për përmirësimin e mirëqenies ekonomike të njerëzve, dhe nëse opozita nuk zgjohet për të ofruar një alternativë të qartë dhe të besueshme për zgjedhjet e ardhshme, atëherë Kosova rrezikon të përjetojë jo vetëm një dimër të vështirë politik, por një periudhë të gjatë stagnimi, pa ndryshime reale.