Rituali i Dollisë është shpallur Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë sonë Kulturore, pas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale. Ky akt njeh rëndësinë e këtij tradicioni si pjesë e identitetit dhe pasurisë shpirtërore të popullit tonë.
Riti i dollisë zë një vend të veçantë në mikpritjen shqiptare. “Kripë, bukë e zemër” është shprehja që karakterizon mikpritjen shqiptare, ndërsa në shekuj institucioni i mikut ka zënë vend në jetën shoqërore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, përcolli sot në rrjetet sociale momente nga riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare.
Dollia është një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore dhe përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare.
Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të.
Si karakteristikë e mirëfunksionimit dhe rregullave në sofër, ka qenë prania e dollibashit si i pari i tavolinës dhe përballë tij e pritësit të dollisë të cilët janë të ndryshueshëm në rolin e tyre. Marrëdhënia mes tyre ka të bëjë me urimet e ndërsjellta dhe respektin reciprok të palëve, sjellje kjo e cila demonstrohet përballë të gjithë miqve të ftuar në sofër.
Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën shqiptare, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.