Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përfiton rritje të ndjeshme të mbështetjes në mesin e qytetarëve izraelitë, por edhe tek pala palestineze, pas ndërmjetësimit që çoi në ndërprerjen e përkohshme të konfliktit të përgjakshëm dyvjeçar në rajon.
Konflikti, i cili ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima civile — përfshirë një numër të madh fëmijësh — është ndalur pas nismës së Trump për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi, që sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, përbën një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe mundësisë për bisedime të mëtejshme paqësore.
Ndërhyrja e Trump ka marrë jehonë të veçantë në Izrael, ku mediat vendase, përfshirë edhe gazetën prestigjioze The Jerusalem Post, i kanë kushtuar kopertina dhe artikuj mbështetës, përfshirë një ilustrim me siluetën e tij të formuar nga fytyrat e pengjeve të liruara.
Simpatia ndaj Trump po vërehet gjithashtu edhe në territoret palestineze, ku qytetarë të lodhur nga lufta e vazhdueshme shpresojnë që kjo ndërprerje e dhunës të çojë drejt një zgjidhjeje më të qëndrueshme.



