Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të premten se SHBA mund ta hapë Ngushticën e Hormuzit „me pak më shumë kohë“, ndërsa presioni ndërkombëtar mbi administratën e tij po rritet për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë në konfliktin me Iranin.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump theksoi se rihapja e kësaj pike strategjike do të mundësonte qarkullimin e lirë të naftës dhe stabilizimin e tregjeve financiare.
“Me pak më shumë kohë, ne mund ta hapim lehtësisht Ngushticën e Hormuzit, të marrim naftën dhe të sigurojmë pasuri”, shkroi Trump.
Pesë javë luftë dhe kaos në tregjet globale Kjo deklaratë vjen gati pesë javë pas nisjes së sulmeve ajrore të përbashkëta nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit. Lufta vazhdon të përhapë kaos në rajon dhe të tronditë tregjet financiare globale, duke shkaktuar rritje alarmante të çmimeve të energjisë dhe naftës.
Rihapja e këtij kanali detar është shndërruar në prioritet absolut për qeveritë ndërkombëtare, pasi Ngushtica e Hormuzit shërben si rruga kryesore për transportin e një të pestës së furnizimit botëror me naftë. Bllokimi i saj ka rënduar ndjeshëm ekonomitë globale, duke detyruar administratën Trump të kërkojë rrugë operative për të rikthyer stabilitetin në furnizim.



