50 vjet më parë, në Teatrin Popullor shfaqej drama me dy pjesë e Teodor Laços, “Duke gdhirë viti 1945”.
Në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare gjenden fotografi të shfaqjeve të kësaj drame, realizuara nga fotografi Gani Xhengo, në vitin 1976.
“Duke gdhirë viti 1945” është një dramë e botuar në vitin 1975 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Drama trajton ngjarje të ndodhura në prag të vitit 1945, një periudhë kyçe për Shqipërinë, kur vendi po kalonte nga Lufta e Dytë Botërore në ndërtimin e regjimit të ri komunist.
Shumë shpejt pas botimit, vepra u kthye edhe në shfaqje teatrale, duke u vënë në skenë nga Dhimitër Pecani. Përmes personazheve dhe konflikteve të tyre, autori reflekton mbi ndryshimet politike, sociale dhe morale që ndodhën në këtë kohë të trazuar.
Drama “Duke gdhirë viti 1945” është një shembull i letërsisë shqipe të realizmit socialist, ku ndërthuren ideologjia dhe arti skenik për të përcjellë mesazhe mbi luftën, fitimtarët dhe të mundurit e saj. /atsh



