spot_img
E hënë, 13 Prill, 2026
11:24
HomeKosovaDrashkoviq godet Vuçiqin: Serbia duhet të njohë realitetin e Kosovës

Drashkoviq godet Vuçiqin: Serbia duhet të njohë realitetin e Kosovës

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Ish-politikani serb dhe ish-ministri i Jashtëm, Vuk Drashkoviq, ka deklaruar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndryshuar rrënjësisht që nga fillimi i karrierës së tij si lider shtetëror.

Në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda, Drashkoviq ka thënë se Vuçiqi i viteve 2012, 2013 dhe 2014 nuk ka lidhje me atë që është sot.

- Advertisement -

“Ai është një njeri tjetër. Në atë kohë besoja se ai donte vërtet një kthesë,” tha Drashkoviq, duke kujtuar një artikull të Vuçiqit të publikuar në gazetën Danas, ku ky i fundit e pranonte se politika e viteve ’90 ishte e gabuar dhe e verbër, dhe se udhëheqja e atëhershme nuk kishte kuptuar ndryshimet pas rënies së Murit të Berlinit.

Drashkoviq tha se kishte mbështetur angazhimin e Vuçiqit për evropianizimin e Serbisë, për integrimin euroatlantik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit më 2013.

- Advertisement -

Por, sipas tij, këto përpjekje u sabotuan jo nga pushteti, por nga vetë opozita dhe kisha serbe.

“Tre peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe mbajtën një ceremoni përkujtimore për nënshkruesit e gjallë të Marrëveshjes së Brukselit. Opozita e qëlloi me gurë në vend që ta përkrahte. Nga viti 2014 e këndej, unë kam qenë opozita e vetme ndaj Vuçiqit, në shumë drejtime.”

Ai shtoi se ka qenë zëri i vetëm që ka kërkuar publikisht që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, si dhe që Serbia të anëtarësohet në NATO.

“Kam paralajmëruar Vuçiqin të mos mashtrojë popullin me rrugë, spitale e shkolla, sepse nuk jetojmë vetëm me bukë, por edhe me frymë. E kam krahasuar këtë me tundimin e Krishtit nga djalli në shkretëtirë.”

Sipas Drashkoviqit, sot Serbia po përjeton një rënie të thellë morale dhe kulturore.

“Asnjëherë më parë fryma, morali dhe arsyeja e shëndoshë nuk kanë qenë kaq të varrosura. Gjuha është në rrezik, kultura mungon. Dhe çdo mbrëmje, nga goja e vetë presidentit e deri te bashkëpunëtorët e tij, dëgjojmë se qytetarët që protestojnë janë ustashë, nazistë, plehra, spiunë të huaj. Kjo është rënia më e madhe e Serbisë”, përfundoi ai.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat