spot_img
E hënë, 9 Mars, 2026
23:54
HomeKosovaZgjedhjet 2025Dy javë pas zgjedhjeve, KQZ vazhdon procesin e numërimit

Dy javë pas zgjedhjeve, KQZ vazhdon procesin e numërimit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Janë bërë dy javë prej kur Kosova iu nënshtrua procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të parat qysh pas pavarësisë që u mbajtën në afat të rregullt kohor.

42.56 ishte përqindja e qytetarëve që iu përgjigjen këtij procesi zgjedhor, të dielën e 9 shkurtit, apo 838 mijë e 763 persona hodhën votën e tyre në kuti, në 38 komuna të Kosovës.

- Advertisement -

Derisa puna e qytetarëve përfundoi me të hedhur votat e tyre në kuti, për KQZ-në vetëm sa kishte filluar puna.

Përballja e parë ishte me mosfunksionimin e platformës online në kohën kur duhej të procesoheshin rezultatet preliminare pas mbylljes së Qendrave të Votimit në vend. Kompania mirëmbajtëse kishte thënë se faqja e internetit të KQZ-së, së bashku me infrastrukturën tjetër qeveritare, ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të vazhdueshme.

- Advertisement -

Se kishte sulm kibernetik atë ditë, e tha edhe numri dy i qeverisë në detyrë, Besnik Bislimi, në Poloni, në një tryezë ku pikërisht ministra për çështje evropiane nga rajoni dhe Evropa u mblodhën për të folur për “Kërcënimet hibride ndaj procesit të zgjerimit dhe kundërpërgjigja potenciale ndaj tyre”.

Me këtë çështje nisi të merret edhe prokuroria, e cila menjëherë i kërkoi KQZ-së informacione të nevojshme për ta vërtetuar nëse kishte elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.

E problemet me sistemin vazhduan edhe kur nisi numërimi i votave për kandidatë në Qendrat Komunale të Numërimit, proces ky që për herë të parë u bë në 38 komuna bazuar në Ligjin e ri për Zgjedhjet.

Me gjithë telashet në fillim, sistemi arriti të funksiononte e numërimi i votave për kandidatët që garuan për ulëse në Kuvend në zgjedhjet e shkurtit vazhdoi deri të premten që lamë pas, kur përfundoi për plot  2mijë e 533 vendvotime, sa kishte në total.

Por, kandidatët sikurse edhe subjektet politike presin edhe numërimin e votave nga diaspora, që pritet të nisë gjatë javës së ardhshme, meqë verifikimi i tyre, sipas konfirmimeve të KQZ-së është drejt fundit.

Pas tyre, do të jetë radha e numërimit të votave me kusht e atyre të dhëna nga personat me nevoja të veçanta.

Janë gjithsejtë 12 mijë e 801 fletëvotime me kusht, ndërsa 2 mijë e 597 vota të personave me nevoja të veçanta, numërim i cili do të behet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Vetëm pasi të përfundojë numërimi i secilës prej këtyre votave, KQZ-së do t’i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare, e pastaj certifikimin e tyre.

Në zgjedhjet e kaluara, siç kishte bërë krahasimin zëdhënësi i KQZ-së, këtij institucioni i ishin dashur nga 18 ditë për shpalljen e rezultateve përfundimtare e edhe 8 apo 9 ditë tjera për t’i certifikuar ato.

“Më lejoni që ta shpjegojë që për të ardhur deri te shpallja e rezultatit përfundimtar për subjekteve politike dhe kandidatë për deputetë KQZ është duke ndjekur hapat e paraparë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore. Ligji i ri për Zgjedhjet ka shtuar përgjegjësitë për KQZ-në. Sa për rikujtim, në disa nga proceset e kaluara zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, si ato të vitit 2014, 2017 dhe 2021, KQZ-së i janë nevojitur në secilin rast nga 18 ditë pas ditës së zgjedhjeve për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare dhe nga 8 apo 9 ditë tjera pastaj për të ardhur deri te certifikimi i rezultatit përfundimtar”, kishte thënë Elezi.

Nga numërimi i këtyre votave, deri tani Lëvizja Vetëvendosje ka 40.90 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës, 22.05 %, Lidhja Demokratike e Kosovës, 17,64 % dhe koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë kanë 7,46 % të votave.

Në deklaratën preliminare, shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Nathalie Loiseau, kishte thënë se procesi zgjedhor kaloi i qetë, e demonstroi qëndrueshmëri e përkushtim ndaj parimeve demokratike.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat