spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
11:20
HomeKosovaDy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Dy vjet më parë, një grup terroristësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër, në një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Asokohe, sulmi u dënua nga krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët, duke bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë.

- Advertisement -

I gjithë rasti ndodhi pasi në hyrje të fshatit Banjskë ishin vendosur dy kamionë pa targa, duke e bllokuar hyrjen përmes urës në atë vend. Aty patrulla policore që pa barrikadën njoftoi kolegët tjerë në bazë, e që mesin e zyrtarëve që iu bashkuan kolegëve në vendngjarje ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës.

Pas këtij rasti, kryeministri tashë në detyrë, Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë. Po atë ditë, u mbyllën pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, të cilat qëndruan të mbyllura për disa ditë. Më pas, Policia njoftoi se tre nga sulmuesit janë vrarë, pasi zyrtarët policorë janë detyruar t’i kundërpërgjigjen sulmeve që po vazhdonin nga grupi terorist, ndërsa u bë e ditur se sulmuesit po e shfrytëzojnë hapësirën në dhe rreth Manastirit të Banjskës për strehim dhe gjuajtje ndaj Policisë së Kosovës.

- Advertisement -

Policia po ashtu njoftoi se ishin arrestuar tre prej sulmuesve. E në mbrëmje, pasi e kishte vizituar vendin e ngjarjes, ministri tashë në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se në veri është gjetur armatim për qindra sulmues të tjerë.

Në anën tjetër, kryemininstri tash në detyrë, Albin Kurti pati thënë se bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal profesionit, i cili ka planifikuar dhe përgatitur gjatë sulmin “dhe që nuk paraqesin një bandë të kontrabandës por një strukturë mercenare e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga Beogradi”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës, jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës. Ajo ka thënë se terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë.

Ndër të parët që reaguan dhe e dënuan ashpër sulmin në Banjskë, ishte Ambasada Amerikane, duke kërkuar që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë. Këtë kërkesë e përsëritën edhe UNMIK, OSBE, KFOR, EULEX, Gjermania, Britania, Italia, Zyra e Bashkimit Evropian, Austria, Kroacia, Turqia, e të tjerë.

Dita e hënë (25 shtatori 2023) u shpall ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, të cilit presidentja e vendit ia ndau urdhrin postmortem “Hero i kombit”. Rreshteri u varros me nderime të larta.

Një ditë pas sulmit, u bë prezantimi i arsenalit të armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike që Policia e Kosovës i konfiskoi në Banjskë të Zveçanit. Armë e pajisje ushtarake, u sekuestruan edhe ditëve në vazhdim në veri, ku u kryen bastisje në disa lokacione.

Ministri tash në detyrë, Xhelal Sveçla në konferencën për media të organizuar në lidhje me zhvillimet në veri, kishte thënë se janë gjetur edhe dokumente të kriminelit Milan Radojiçiq, që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë sulm. Tre të pandehurit që u arrestuan ditën kritike u dërguan në paraburgim, masë nën të cilën vazhdojnë të jenë ende.

Sveçla, dy ditë pas sulmit, ka publikuar pamje të Milan Radoijçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili është edhe pjesë e listës së zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, teksa shihet në Manastirin e Banjskës bashkë me sulmuesit tjerë. Ndaj tij, më 7 dhjetor 2023 u bë e ditur se INTERPOL ka lëshuar fletarrest, por se ende vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Më 28 shtator 2023, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë që dënon sulmin në Banjskë. Rezolutë që dënon këtë sulm miratoi edhe Parlamenti Evropian më 19 tetor 2023. E kreu i grupit kriminal, Milan Radojiçiq më 29 shtator mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Krerët e shtetit dhe ata të institucioneve të sigurisë, patën thënë se plani i grupit terrorist ishte aneksimi i veriut, ndërsa u bë thirrje që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë sulm.

Rasti “Banjska” më 19 tetor 2023 u shënjestrua nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për “Shpëlarje të parave” e vepra tjera penale. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me asistimin e Policisë së Kosovës, më 19 dhjetor 2023, e mori nën kontroll kompleksin “Rajska Banja” në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku thuhet se u strehuan disa nga anëtarët e grupit kriminal.

Aktakuza u ngrit më 11 shtator 2024, 13 ditë para përvjetorit të parë të sulmit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist në Banjskë. Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht “Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoijçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Aktakuza në rastin “Banjska” u mirëprit nga vendorët e ndërkombëtarët, të cilët presin të shohin se si do të zhvillohet gjykimi në këtë rast.

Ndërkohë seanca e fundit për këtë rast u mbajtë më 24 korrik 2025. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Prokurori special Naim Abazi propozoi që seanca të mbyllet, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliq, është e ndjeshme dhe përfshihen informacione në çështjen e sigurisë kombëtare, strukturave paralele dhe organizimeve të tyre ilegale në veri të vendit.

Sipas tij, meqenëse dëshmia e dëshmitarit lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me strukturat e dyshuara ilegale, përfshinë elemente që mund të dërgojnë në identifikimin edhe të familjes së dëshmitarit, nëse kjo dëshmi jepet në prani të publikut dhe mediave.

Abazi tha se propozimi i tyre bazohet në dispozitat e nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale. Mbrojtësi i Spasojeviqit, avokati Ljubmir Pantoviq, tha se ia lë gjykatës në diskrecion vendimin për çështjen e mbylljes së seancës.

Dëshmitari Velko Iliq tha se nuk është mirë me shëndet dhe se për këtë ka edhe dokumente, të cilat ia ka dorëzuar prokurorit. Andaj, tha se nuk mund të qëndrojë gjatë në seancë.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se sipas propozimit të prokurorit dhe marrjes së mendimit nga palët në procedurë, aprovohet propozimi për mbylljen e seancës. Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2.

Kurse, ajo e 21 korrikut u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim F1, në mënyrë që të mbrohej identiteti i dëshmitarit dhe procedurës penale.

Ndërkaq, më 22 korrik u dëgjuan dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq. Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale. Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat