Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve të 16 kutive të votimit që i takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme.
Nga ky numër i përgjithshëm, 5 kuti votimi i takojnë zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 11 të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kutia e votimit rekomandohet për rinumërim në rast të konstatimit të mospërputhjeve, kur numri i nënshkrimeve në Listën e Votuesve është më i madh se numri i fletëvotimeve në kuti të votimit apo numri i nënshkrimeve në listën e votuesve është më i vogël se numri i fletëvotimeve në kuti.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, gjatë mbledhjes ngriti shqetësime për numrin e lartë të votimeve me asistencë, veçanërisht në Hanin e Elezin. Ai theksoi se mbi 500 persona, që përbëjnë rreth 10% të votuesve, kanë votuar me ndihmë të një personi tjetër.
Kurteshi tha se gjysma e tyre janë deklaruar se kanë probleme me shikim, por ai vuri në dyshim besueshmërinë e këtyre të dhënave.
Ai kërkoi nga Sekretariati i KQZ-së qasje në të gjitha librat e votuesve në nivel vendi, për të analizuar më tej fenomenin.
Kurse, anëtari tjetër i KQZ-së, Ilir Gashi, përkrahu propozimin e Kurteshit për shqyrtimin dhe ndalimin e votës me asistencë në raste të caktuara, por theksoi se ky standard duhet të zbatohet njësoj edhe për votat nga diaspora.
Gjithashtu, KQZ mori vendim për miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 18 komuna ku Kosova voton me balotazh më 9 nëntor.