Pa opozitën në sallë ka nisur votimi një për një i 128 amendamenteve për Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore.
I pari amendament kaloi me 61 vota të deputetëve asnjë kundër e asnjë abstenim.
I dyti amendament i propozuar nga Bensik Tahiri i AAK-së ndonëse nuk ishte aty u hodh në votim i cili mori vetëm një votë për, 55 kundër e 5 abstenime.
Kështu me radhë po vazhdon votimi për amendamentet e propozuara për këtë projektligj.
Muja: Kërkesat për amendamentet janë trajtuar
Armend Muja kryetar i Komisionit për Buxhet lidhur me raportin e shqyrtimit të dytë të projektligjit, tha se Komisioni ka trajtuar kërkesat e drejtuar nga komunat: Rahovec, Deçan, Gjakovë, ashtu siç janë trajtuar edhe kërkesat e institucioneve qendrore dhe rrjedhimisht nuk mund të mbështeten si amendamente, nga Komisioni
“Të gjitha kërkesat që për amendamentet dhe kërkesat që kanë ardhur brenda afateve dhe Zyra për Parashtresa i ka sjellë në Komisionin për Buxhet ne kemi trajtuar dhe për të gjitha ne i kemi dhënë përgjigje”, tha Muja.
Tutje, Muja sqaroi rekomandimin e Komisionit për Buxhet për miratim të buxhetit për vitin 2025 me amendamentet e propozuara nga Komisioni, qofshin ato tekstuale, si dhe ato tabelare.
Tahiri nga PDK kërkon që të mos hidhet në votim buxheti
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të mos hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës buxheti i vitit 2025. Ai tha se ka pasur keqpërdorime dhe se deri tani nuk kanë pasur njohur rreth keqpërdorime, siç i quajti ai ‘skema kriminale’.
Sipas tij votimi i këtij projekt buxheti do të thotë mbështetje e skemave kriminale.
“Kërkoj që ky buxhet të mos vihet fare në lexim të dytë. Kanë dal një mori ngjarjesh kriminale. Votimi i këtij projekt buxheti do të thotë mbështetje e këtyre skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminuar. Duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të thellë dhe jo në procedura të përshpejtuara. Këta njerëz që kanë marrë skemat kriminale, 30 për qind nga subvencionet dhe grantet do t’i marrin edhe vitin tjetër. Kërkoj që ky projekt të kthehet prapa”, ka thënë Tahiri.
Gashi: Thirrje Presidentes të garantojë që ligji të kthehet në Kuvend
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, pasi që, sipas tyre, kjo do të çonte në kolaps financat e shtetit, por kjo parti i ka bërë thirrje Presidentes të jetë në detyrën e saj kushtetuese e, sipas tyre, të garantojë që ligji të kthehet në Kuvend e t’i plotësojë kriteret e duhura.
“Duke marrë parasysh që Ligji për Buxhetin është i rëndësishëm për financat e shtetit, ne si Grup Parlamentar nuk do ta dërgojmë në Kushtetuese, por i bëjmë thirrje Presidentes që të jetë në detyrën e vetë kushtetuese e të garantojë që ligji të kthehet në Kuvend. Kjo do të garantonte një funksionalitet dhe vendi do të kishte buxhet, përndryshe kur të shkojmë në zgjedhje pa buxhet është jashtëzakonisht e rrezikshme. Shkuarja në zgjedhje nën hipotezën që ne e dërgojmë Projektligjin për Ndarjet Buxhetore në Gjykatën Kushtetuese, ai do të bllokohej të paktën për 6 muaj dhe kjo do të thoshte kolaps për financat e shtetit. Nuk jemi të interesuar të bëjmë kolaps në financat e shtetit”, tha Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.
Tahiri i AAK-së: Nuk u trajtuan kërkesat e komunave që udhëhiqen nga AAK-ja
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri në fillim të seancës tha se nga informacionet që ka marr nga kolegu i tij deputet, anëtar i Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj është se ka shkelje të procedurave pasi nuk u trajtuan nga Kuvendi kërkesat e organizatave buxhetore e në këtë rast ai foli për tri komunat që udhëhiqen nga AAK-ja.
“Në këtë rast po flas për kërkesat që vijnë nga komunat që udhëhiqen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Janë kërkesat e Komunës së Rahovecit që nuk janë trajtuar e që janë 6 kërkesa, nga Komuna e Gjakovës janë tri e dhe një kërkesë nga Komuna e Deçanit. A ka mundësi një sqarim rreth kësaj teme”, ishte kërkesa nga Tahiri.