Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i ka reaguar djalit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugovës, pasi që ky i fundit e ka cilësuar presidenten Vjosa Osmani si “rugoviste”.
Për këtë, Mustafa ka thënë se Ukë Rugova së pari, duhet të sqarojë se çfarë është rugovizimi, dhe se, sipas Mustafës, sjelljet e Osmanit s’janë sjellje të Ibrahim Rugovës.
“Ukë Rugova mas pari duhet me sqaru çka është Rugovizmi. A është sjellja e zonjës Osmani sjellje e Ibrahim Rugovës? Unë them se jo. Tash në qoftëse Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, thotë se është rugoviste, atëherë pse rugovistja e Ukë Rugovës e shkatërroi LDK? Pse? Cila ishte arsyeja e saj që ta shkatërroi LDK’në, dhe ta çoj LDK-në në LVV”.
“Në një parti të majtë, krejtësisht të majtë, ta shkatërroi konkurrencën politike në Kosovë, sepse pa LDK nuk ka konkurrencë politike në Kosovë. Me LDK e të dëmtuar, të shkatërruar, Kosova nuk ka konkurrencë, Kosova ka veç shtet një partiak. Edhe në qoftë se dikush i kontribuon këtij shteti një partiak në Kosovë, atëherë çka ka lidhje me Rugovë. Pse po e keqpërdorim Rugovën si president, si bashkëpuntorë ose si babë, nuk ka asnjë kuptim të sillemi kështu”, ka deklaruar ai për kp.



