Gjinekologu Afrim Veliu sulmohet brutalisht në Ulpianë – “Ishte i tëri me gjak, kërkonte ndihmë”
Një skenë tronditëse dhune ka ndodhur në mbrëmjen e sotme në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku mjeku gjinekolog Afrim Veliu, rreth 60 vjeç, është sulmuar në mes të rrugës nga një person ende i paidentifikuar- transmeton Sinjali.
Sipas raportimit të Sinjalit, sulmi ndodhi rreth orës 21:30 në rrugën “Henry Dynant”, ku mjeku ishte në lëvizje, kur papritmas u godit me forcë nga një person i gjatë, i veshur me të zeza, i cili menjëherë pas aktit u largua me vrap nga vendngjarja.
Një dëshmitar okular që jeton në ndërtesat përreth ka përshkruar momentet e pas sulmit si skenë të rëndë:
“Ishte i tëri me gjak, nuk dinte nga të shkonte. Po kërkonte ndihmë me duar në kokë”, ka rrëfyer ai për Sinjalin.
Motivet e këtij akti brutal mbeten ende të paqarta. Nuk dihet nëse viktima dhe sulmuesi kishin ndonjë njohje apo konflikt paraprak. Po ashtu, nuk ka ende ndonjë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës lidhur me veprimet që janë ndërmarrë deri më tani.
Sinjali ka njoftuar se do të publikojë detaje të reja në vijim për këtë rast shqetësues që ka alarmuar qytetarët dhe komunitetin mjekësor në vend.



