Robert De Niro në film për masakrën e Reçakut – luan rolin e babait të producentit kosovar Fitim Krasniqi
Një film ndërkombëtar për luftën e Kosovës dhe masakrën e Reçakut pritet të sjellë në ekran një prej emrave më të mëdhenj të kinemasë botërore, Robert De Niro, i cili do të luajë rolin e babait të producentit kosovar Fitim Krasniqi.
Producenti Krasniqi ka zbuluar se projekti do të bazohet në një histori personale dhe të dhimbshme familjare – historinë e babait të tij, i cili u plagos dhe u dogj për së gjalli gjatë luftës. Historia e tij do të shndërrohet në një film me mesazh të fuqishëm njerëzor dhe historik, që do të trajtojë realitetin tragjik të Reçakut dhe dhimbjet e popullit të Kosovës.
Në një intervistë me Blendi Fevziun, Krasniqi konfirmoi pjesëmarrjen e Robert De Niros dhe tha:
“Është historia e babait tim dhe masakra e Reçakut, dhe luftës që ka ndodhur në Kosovë nga fillimi deri në fund.”
Ai shtoi se në këtë projekt do të marrin pjesë 71 aktorë nga Hollywood-i, me kontrata tashmë të nënshkruara.
Xhirimet do të nisin vitin e ardhshëm, pasi projekti ishte planifikuar të fillonte këtë vit, por u shty për arsye organizative.
Sipas Krasniqit, qëllimi është të sjellë një film ndërkombëtar me shpirt kosovar, që do ta bëjë botën të ndjejë dhe të kuptojë të vërtetën e luftës në Kosovë.



