Të paktën pesë persona janë qëlluar me armë në një shkollë në qytetin qendror suedez Örebro, pas raportimeve për të shtëna me armë automatike, ndërsa një operacion i madh policor është nisur.
Të shtënat u raportuan rreth orës 13:00 me orën lokale në shkollën Risbergska, e cila ndodhet në lagjen Västhaga të Örebro-s.

Lena Warenmark, një mësuese në këtë shkollë, i tha transmetuesit kombëtar SVT:
“Dëgjuam të shtëna shumë afër klasës sonë. Ishin ndoshta dhjetë të shtëna.”
Dhjetëra vetura policore dhe ambulanca u drejtuan me shpejtësi drejt Västhaga-s, ndërsa policia izoloi shkollën dhe vendosi një perimetër sigurie rreth ndërtesës. Forcat speciale të armatosura u panë duke iu afruar shkollës me armët e drejtuara.

Ndërkohë, një imazh i publikuar nga mediat suedeze tregon një person të shtrirë në dyshemenë e një klase, pranë karrigeve të përmbysura, të cilat ishin përdorur për të barrikaduar derën e klasës.
Sipas një deklarate të policisë së Örebro-s në rrjetet sociale, pesë persona janë konfirmuar të plagosur, ndërsa mediat suedeze raportojnë se të paktën një person është evakuuar dhe dërguar në spital.
“Kjo po trajtohet aktualisht si tentativë për vrasje, zjarrvënie dhe shkelje e rëndë e ligjeve për armët,” thuhet në deklaratën e policisë.
Por frika për rritjen e numrit të viktimave po shtohet, pasi Aftonbladet raporton se spitalet në Örebro kanë liruar dhomat e urgjencës dhe njësitë e kujdesit intensiv për të pranuar viktimat e të shtënave.
Dëshmitari Magnus Håkansson i tha gazetës Expressen:
“Dëgjova krisma dhe dola jashtë menjëherë pas tyre. Policia më urdhëroi të shtrihesha në tokë. Pashë shumë gjak.”
Një prind i tronditur, fëmija i të cilit ndodhej brenda shkollës, shtoi:
“Jam i tronditur dhe më mbushen sytë me lot, por vajza ime më shkruan se po lutet te Zoti që gjithçka të jetë në rregull.”
Ka raportime se sulmuesi ka drejtuar armën ndaj vetes në vendngjarje, por kjo ende nuk është konfirmuar nga policia.
Policia ka paralajmëruar publikun:
“Rreziku nuk ka kaluar. Qytetarët DUHET të qëndrojnë larg Västhaga-s.”

Të shtënat shkaktuan një valë mbështetjeje nga figurat kryesore politike në Suedi.
Zëdhënësi i Partisë së Gjelbër, Daniel Helldén, deklaroi:
“E tmerrshme ajo që po mësojmë nga Örebro. Mendimet e mia shkojnë për të gjithë të prekurit: studentët, stafin, të afërmit. Është e papranueshme që kjo po ndodh dhe që dhuna po përhapet gjithnjë e më shumë.”
Socialdemokratja Teresa Carvalho shtoi se po e ndjek me tmerr situatën në Örebro.
“Mendoj për të gjithë të prekurit dhe shqetësohem për familjarët e tyre,” shkroi ajo në X.
Së fundmi, Suedia është etiketuar si “kryeqyteti i vrasjeve me armë” në Bashkimin Evropian.
Gjatë vitit 2023, në Suedi u vranë 53 persona në të shtëna me armë, ndërsa në vitin 2022, numri ishte 62. Për një vend me 10.5 milionë banorë, Stockholm kishte një shkallë vrasjesh për frymë rreth 30 herë më të lartë se Londra.
Ekspertët thonë se dhuna është e nxitur nga një sërë faktorësh:
- Luftërat territoriale mes bandave
- Rritja e tregut të drogës
- Furnizimi masiv me armë në treg
- Pabarazia në rritje
- Imigracioni i lartë dhe dështimi i integrimit të migrantëve në shoqëri
Grupet mafioze ndërkombëtare e kanë quajtur Suedinë një “parajsë” për aktivitetet e tyre kriminale, ndërsa krimi i organizuar ka depërtuar në sektorët e biznesit dhe ka gjetur mënyra për të kontrabanduar armë ushtarake në vend.




