storm•/Ekskluzive: Vonesa në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare mund të ketë ardhur për disa arsye: Numërimi i votave të jashtme dhe me kusht, votat e kontestuara, si dhe problemet teknike ose logjistike.
Ndaj, në vend u ngritën shumë pikëpyetje pse po vonohet ky proces. Mirëpo, KQZ-ja arsyetohet me pretekstin se edhe në të kaluarën procesi i numërimit të votave ishte vonuar deri në 20 ditë me shpalljen e rezultateve e mbi një muaj me certifikimin e tyre.
Ndryshe, raportuesit e zgjedhjeve nga OSBE-ja, të cilët vizituan qendrat zgjedhore në gjithë vendin, kanë vërejtur krejt diçka tjetër.
Raportuesit e OSBE-së, pas vizitave në qendrat zgjedhore në gjithë vendin, kanë identifikuar disa probleme, si mungesa e trajnimeve, kushteve të papërshtatshme për punë, materialeve zgjedhore dhe uljen e shpenzimeve për çështje kyçe, të cilat kanë ndikuar negativisht në procesin zgjedhor, shkruan storm•.
Për ta ka qenë e pabesueshme që pas 4 vjetësh KQZ-ja nuk u përgatit për të përmbyllur procesin shpejt dhe pa probleme.
Po ashtu, burimet e storm• tregojnë se KQZ-ja ka angazhuar IT vetëm një ditë para zgjedhjeve. Ndryshe, do të duhej të angazhoheshin kompani serioze në këtë çështje dhe i gjithë procesi të kalojë pa probleme të natyrave të tilla.
Po ashtu, ka pasur spekulime dhe shqetësime rreth mundësisë së ndërhyrjeve të jashtme, përfshirë sulme kibernetike nga Rusia.
Kjo ka mundur të ndodhë pasi KQZ-ja ka lejuar qasjen në faqen e saj të rezultateve nga e gjithë bota.
Megjithatë, deri tani, nuk ka prova të drejtpërdrejta për ndërhyrje të mundshme nga Rusia që kanë ndikuar në zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Autoritetet përkatëse, përfshirë KQZ dhe agjencitë e sigurisë, gjithashtu kanë qenë të angazhuara për të mbrojtur procesin zgjedhor nga kërcënimet e mundshme.
Gjithashtu, organizatat vendore dhe ndërkombëtare kanë reaguar për vonesën e numërimit të votave nga KQZ.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën të dielën, më 9 shkurt.



