storm•/SHBA: Një stuhi e re e quajtur Invest A95L po zhvillohet në Atlantik dhe ka një mundësi të madhe për të marrë vendin e Nadines këtë fundjavë, paralajmërojnë ekspertët e uraganëve. Parashikohet që kjo stuhi të godasë Amerikën Qendrore dhe Meksikën këtë të shtunë, duke sjellë reshje të dendura dhe përmbytje të mundshme në rajon.

Qendra Kombëtare e Uraganëve (NHC) raportoi se ekziston një shans 50% që kjo stuhi të zhvillohet në një depresion tropikal ose në Stuhinë Tropikale Nadine brenda 48 orëve të ardhshme. NHC theksoi se një depresion ose stuhi e shkurtër mund të formohet përpara se sistemi të zhvendoset mbi Belize dhe Gadishullin e Jukatanit në Meksikë të shtunën.
Kushtet mjedisore në Detin Karaibe veriperëndimor mund të ndihmojnë që stuhia të bëhet më e organizuar, duke rritur gjasat që 95L të zhvillohet në Stuhinë Tropikale Nadine brenda natës së sotme ose mëngjesit të së shtunës.
Pas dështimit të stuhisë A94L për t’u bërë Nadine, gjasat për 95L janë rritur falë presionit të lartë të nivelit të sipërm që po zhvillohet mbi zonën përkatëse. Aktualisht, shpejtësia e erës së kësaj stuhie ka arritur në 30-35 milje në orë dhe pritet të vazhdojë të rritet ndërsa i afrohet tokës.
Meteorologët, përfshirë Anthony Duarte nga Univision, paralajmërojnë se pavarësisht zhvillimit të stuhisë, reshjet e dendura priten në Amerikën Qendrore, Belize, Gadishullin e Jukatanit dhe jugun e Meksikës gjatë fundjavës, duke ngritur rrezikun për rrëshqitje të dheut në terrene të larta.

Megjithatë, ekspertët raportojnë se stuhia potenciale Nadine do të jetë një fenomen i shkurtër dhe nuk pritet të ndikojë Floridën, e cila ende po rimëkëmbet nga uraganët Helene dhe Milton. Kjo për shkak të kushteve më të thata atmosferike që mbulojnë Floridën dhe Gjirin e Meksikës, të cilat pritet të mbrojnë këtë shtet nga kërcënimet e stuhive tropikale për një kohë të afërt.
Teksa sezonin e uraganëve të Atlantikut 2024 ende nuk ka mbaruar dhe vazhdon deri më 30 nëntor, ekspertët theksojnë se kushtet janë ende të favorshme për formimin e stuhive të reja.