Në Sallën Italiane pranë Qendrës “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, janë ekspozuar botime mbi gjeniun Leonardo da Vinci të cilat ofrojnë një udhëtim në botën e tij.
Ekspozita vjen në ditën e lindjes së artistit të shumanshëm, një ndër personazhet me më shumë ndikim përgjatë historisë njerëzore. Tek “Sotir Kolea”, mund të gjenden botime mbi jetën dhe veprën e da Vinci-t, si dhe një thesar i rrallë, “Del moto e misura dell’acqua” (1923), ku zëri i tij shkencor vjen ende i gjallë.
Gjeniu që sfidoi kohën, lindi më 15 prill 1452 dhe u nda nga jeta më 2 maj 1519. Ai la një trashëgimi të rëndësishme jo vetëm në fushën e artit, por edhe në shkencë, ku secila disiplinë ndikonte në zotërimin e tjetrës. Da Vinci jetoi në një epokë të artë kreativiteti midis bashkëkohësve të tillë si Rafaeli dhe Mikelanxhelo, dhe kontribuoi me gjenialitetin e tij unik në pothuajse çdo gjë që preku.
Italia e Rilindjes është një kulm në historinë njerëzore. Sot, asnjë emër nuk duket se e simbolizon më mirë epokën e Rilindjes sesa emri i Leonardo da Vinci-t. Ndër veprat e tij më të njohura janë: Mona Lisa, Darka e fundit, Njeriu vitruvian, Shën Joan Pagëzori, Portreti i Ginevra Benci etj. /atsh



