Shqipëria po shfaqet për vizitorët e huaj si një perlë e panjohur e Evropës. Pas disa dekadash izolimi dhe heshtjeje, vendi i vogël ballkanik, sot ofron infrastrukturë të re, qytete të gjalla dhe një mikpritje të ngrohtë!
Udhëtimi ynë filloi në Tiranë, pikënisja e një turi 15-ditor përgjatë qyteteve të pasura kulturore të Shqipërisë, shkruan Enrique Córdoba në një artikull të botuar në revistën spanjolle “El Nuevo Herald”.
Tirana: Kryeqyteti plot jetë
Tirana është një kryeqytet i gjallë, plot ngjyra dhe jetë, ku sheshi Skënderbej dhe lagja e Bllokut tregojnë kontrastin mes së kaluarës dhe të tashmes: nga xhamitë dhe katedralet që rikthehen në qytet, te baret, libraritë dhe kafetë moderne ku rinia diskuton për Evropën dhe të ardhmen.
Në pamje të parë, Tirana duket një kryeqytet i ri, plot jetë dhe ngjyra të ndezura, me një trafik që duket i pakufizuar. Pak hapa më tej kuptohet se pas këtij dinamizmi fshihet një histori e rëndë, që ende merr frymë. Në Pazarin i Ri, tregu i vjetër i rinovuar, frutat shkëlqejnë si një manifest: shegë të kuqe, fiq të purpurt, grumbuj ullinjsh. Në një qoshe, një grup burrash luajnë tavëll mes tymit të cigareve dhe të qeshurave të thella.
Njëri prej tyre më përshëndeti me një spanjishte të rrjedhshme: e kishte mësuar ndërsa punonte në Valencia.
“Vëlla, këtu gjithmonë ka hapësirë për turista”, tha ai duke afruar një karrige. Quhej Leka dhe fliste me qetësi. Kur përmendi vitet e Enver Hoxhës, biseda ndryshoi ton: nuk ishte histori, ishte kujtim i ndjerë.
“Nuk mund të udhëtoje, të luteshe dhe as të flisje shumë. Më e keqja nuk ishte betoni… ishte heshtja”, tha, duke prekur gjoksin.
Ajo “heshtje” nuk është metaforë. Shqipëria jetoi midis viteve 1944 dhe 1985 nën një nga regjimet më të mbyllura të Evropës: komunizëm stalinist që e ktheu frikën në sistem. Simbol mbetën bunkeret: dhjetëra mijëra të shpërndara përgjatë plazheve, maleve dhe rrugëve, kupola të vogla betoni që edhe sot duken në peizazh si plagë!
Por, Tirana e sotme sheh përpara. Sheshi Skënderbej – i gjerë dhe pothuajse skenik— funksionon si zemra urbane: familje, muzikantë, studentë.
Muzeu Kombëtar ekspozon mozaikun e madh në fasadë si një kartolinë nga e kaluara; pak metra më tutje, xhamitë dhe katedralet rikthehen në vendin e tyre, në një shoqëri ku besimet bashkëjetojnë natyrshëm.
Zona e Bllokut tregon tranzicionin: aty ku dikur jetonte elita e Partisë dhe qasja ishte e kufizuar, sot janë ndërtuar bare, librari, kafene dhe të rinjtë diskutojnë për Evropën, punën në distancë dhe të ardhmen.
Kontrasti është një atraksion turistik: të ecësh në Bllok do të thotë të shohësh një qytet i cili shndërron një mur të padukshëm në jetë publike.
Tirana është një nisje e shkëlqyer për të shijuar produktet shqiptare: byrek (me djathë ose spinaq), sallata me djathë të bardhë, mish qingji në skarë, dhe kafeja – mbeten ushqime kryesore tradicionale. Nëse dikush ju ofron raki, kujtoni se: nuk është thjesht një gëzim, është një mikpritje e ngrohtë!
Kruja: Qyteti i identitetit
Kruja, qyteti i identitetit shqiptar, ngjitet mbi luginën e Adriatikut, ku kështjella dhe Pazari i Vjetër tregojnë historinë dhe artizanatin e vendit. Një pjatë qingji, djathë, bukë e ngrohtë dhe mjaltë kashte përçon më shumë se çdo histori muzeale.
Rreth 40 minuta nga Tirana, ndodhet qyteti i Krujës, historia e të cilit lidhet me heroin e madh kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, udhëheqësi që i rezistoi osmanëve në shekullin XV.
Kalaja e Krujës dominon luginën si foltore shqiponjeje. Nga lart, mund të shihni Adriatikun… edhe gjate ditëve të kthjellta. Tirana duket larg. Në muzeun e dedikuar heroit kombëtar, Skënderbeut, epika bëhet objekt: harta, armë, simbole!
Pazari i Vjetër shfaq jetën e përditshme: artizanë që gdhendin shqiponja dykrenare në dru, që shesin qilima, qëndisma dhe thika. Në Krujë, gjithashtu mund të shijoni një vakt me mish qingji, djathë, bukë të ngrohtë dhe mjaltë.
Nga mali në det: Durrësi
Durrësi, porta e Adriatikut, ku shfaqet e kaluara romake dhe veneciane, ndërsa plazhet dhe bulevardi bregdetar ofrojnë kombinimin perfekt të relaksit dhe historisë.
Durrësi është 30 minuta larg nga Tirana dhe funksionon si porti kryesor i vendit. Era e kripës përzihet me naftën e trageteve që nisen për Itali; vinçat lëvizin ngadalë; qyteti tingëllon si derë e hapur. Nën pamjen e një bregdeti modern, Durrësi ruan një të kaluar shumë të lashtë: i njohur dikur si Durraco dhe pikënisje e Via Egnatia, rruga lidhte Adriatikun me Bizantin e lashtë.
Amfiteatri romak, i zbuluar në vitet ’60, shfaqet në mes të qytetit me; shkallë, harqe, bar ku dikur uleshin 20 000 spektatorë. Në bulevardin bregdetar, familjet ecin dhe restorantet ekspozojnë peshkun e pjekur, ndërsa deti kujton – se këtu kanë kaluar grekët, romakët, venedikasit, osmanët dhe emigrantët modernë.
Berati dhe Gjirokastra
Berati, qyteti i një mbi një dritareve, dhe Gjirokastra, trashëgimi të UNESCO-s me shtëpi osmane dhe rrugë të pjerrëta, tregojnë harmoninë mes kulturës, historisë dhe jetës së përditshme.
Rruga përmes kodrave me ullinj duket si e pikturuar me durim. Berati, një Trashëgimi Botërore, kuptohet me një shikim të vetëm: shtëpi të bardha të grumbulluara në shpat, dhjetëra dritare që vëzhgojnë luginën.
Lumi i Osumit ndan lagjet me histori —muslimane dhe kristiane— por e tashmja i përzien ato me një bashkëjetesë të qetë.
Rrugës për në Kalanë e Beratit do të shihni Kishat, mbetjet bizantine dhe rrugët me kalldrëm. Zgjidhni një nga lokalet me tarracë dhe shijoni ushqimet tradicionale si mish qingji, speca të pjekur, kos i trashë, verë lokale.
Më në jug, ndodhet Gjirokastra – një tjetër qytet në UNESCO, që duket i gdhendur në shkëmb. Shtëpitë osmane dhe rrugët e pjerrëta krijojnë një atmosferë magjepsëse.
Këtu lindi Ismail Kadare, shkrimtari i madh shqiptar, dhe gjithashtu udhëheqësi Enver Hoxha: dy biografi të kundërta nga e njëjta tokë. Vizita në Shtëpinë e Kadaresë jep një kontekst intim: si shkruhet në një vend që mësoi të heshtë.
Tunelat e Luftës së Ftohtë, ndërtuar për një sulm që kurrë nuk ndodhi, plotësojnë portretin e një epoke ku frika ndërtohej në beton.
Deti Jon – aty ku “skena” ndryshon
Saranda dhe Ksamil ofrojnë det të kaltër, ishuj të vegjël dhe perëndime dielli teatrale, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion Mesdhetar të pastër. Parku arkeologjik i Butrintit, gjithashtu i përfshirë në UNESCO, sjell një udhëtim përmes qytetërimeve në një peizazh të ruajtur magjik.
Rruga drejt Sarandës dhe Ksamilit ofron peizazhe si në kartolina me ujëra të kristalta dhe bregdet të ndritshëm. Saranda vibrion me hotele të reja, kafene, tarraca dhe turizëm në rritje. Ksamili, me ishujt pranë dhe “dritën teatrale” të perëndimit të diellit, është vendi ku Shqipëria bëhet “Destinacioni kryesor Mesdhetar”: not, pushim, peshk i freskët, verë e bardhë e ftohtë!
Parku Natyror: Butrinti
Një Park Arkeologjik dhe një Trashëgimi Botërore, në Butrint do të zbuloni një teatër helenistik, shtresa romake, bazilika bizantine, kështjella veneciane. Butrinti nuk është thjesht një park me rrënoja: por ai ofron një udhëtim përmes qytetërimeve në një peizazh lagune dhe pylli, ku heshtja duket e ruajtur me kujdes.
Shqipëria është vendi ku historia mbetet aty, e dukshme, por nuk paralizon.
Çmimet janë më të arsyeshme se vendet fqinje, natyra ende e egër dhe mikpritja e drejtpërdrejtë e bën vizitën të paharrueshme!
Ky vend i fton vizitorët të ëndërrojnë dhe të zbulojnë një histori që sapo është zgjuar! /atsh



