E PËRDITËSUAR / Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot konferencën e parë për media lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i votimit ka filluar herët në mëngjes, sipas kohës lokale në Kosovë dhe deri në ora 9:00 kanë votuar 1,659 qytetarë.
Sipas tij, në orën 05:00 ka nisur votimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, ndërsa nga ora 07:00 votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.
Elezi theksoi se procesi i votimit është duke u zhvilluar në këto përfaqësi diplomatike: në Gjermani (Ambasada në Berlin dhe konsullatat në Frankfurt, Hamburg, Mynih, Shtutgart dhe Dyseldorf), në Zvicër (Ambasada në Bernë dhe konsullatat në Gjenevë dhe Cyrih), në Mbretërinë e Bashkuar (Ambasada në Londër), në Francë (Ambasada në Paris dhe Konsullata në Strasburg), në Belgjikë (Ambasada në Bruksel), në Norvegji (Ambasada në Oslo), në Austri (Ambasada në Vjenë), në Suedi (Ambasada në Stokholm), në Slloveni (Ambasada në Lubjanë), në Danimarkë (Konsullata në Kopenhagë), në Itali (Ambasada në Romë dhe Konsullata në Milano), në Turqi (Konsullata në Stamboll), në Kroaci (Ambasada në Zagreb), në Holandë (Ambasada në Hagë), në Republikën Çeke (Ambasada në Pragë) dhe në Hungari (Ambasada në Budapest).
Ndërkohë, procesi i votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Ambasadën e Kosovës në Uashington dhe Konsullatën në New York, si dhe në Kanada, në Ambasadën në Otavë dhe Konsullatën në Toronto, do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Sipas KQZ-së, në përgjithësi votimi po zhvillohet në 40 vendvotime, të cilat funksionojnë në kuadër të 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 29 përfaqësitë diplomatike është 19 mijë e 187 votues.
Zëdhënësi Elezi theksoi se vetëm votuesit që janë regjistruar paraprakisht për votim në përfaqësi diplomatike kanë të drejtë të votojnë më 27 dhjetor 2025, pasi listat votuese të dërguara në këto përfaqësi përmbajnë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë periudhës së regjistrimit, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025.
Ai shtoi se qytetarët mund ta verifikojnë statusin e tyre të votimit në çdo kohë përmes platformës elektronike të KQZ-së.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, nga 24 përfaqësi diplomatike ku votimi ka filluar dhe po zhvillohet, deri në orën 09:00 kanë votuar 1,659 qytetarë, që përbën 8.64 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.
KQZ ka bërë të ditur se procesi i votimit po monitorohet në vazhdimësi dhe se do të publikohen përditësime të tjera gjatë ditës.
Procesi zgjedhor nis jashtë vendit, po voton diaspora
Sot, nga ora 05:00 deri në 19:00, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit po votojnë në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Të drejtë vote kanë 19 mijë e 187 votues të regjistruar, të cilët mund të votojnë në 29 përfaqësi diplomatike, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme.
Procesi po zhvillohet në gjithsej 40 vendvotime, të organizuara në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës. Sipas ligjit të ndryshuar për zgjedhjet, votimi nga jashtë realizohet; përmes postës, dërgimit të pakos në adresën e KQZ-së në Kosovë dhe votimit fizik në përfaqësi diplomatike.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së. Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, shkruan KQZ.
Sipas kësaj të fundit, shumica e votuesve nga diaspora janë regjistruar për votim me postë.
Vota e diasporës ka shënuar rritje të vazhdueshme në zgjedhjet e fundit dhe konsiderohet gjithnjë e më vendimtare për zgjedhjet e 28 dhjetorit.



