Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho rikthehet sonte në Royal Opera House të Londrës, me rolin e Violetta Valery, personazhi qendror i operas “La Traviata”.
Ky produksioni i kryeveprës së kompozitorit italian Giuseppe Verdi, do të shfaqet në teatrin mbretëror të Londrës përgjatë gjithë muajit janar, nën dirigjimin e Antonello Manacorda dhe regjisorit Richard Eyre.
Ermonela Jaho do të interpretojë përkrah tenorit italian Giovanni Sala, në rolin e Alfredo Germont-it. Të tjerë emra të njohur të operistikës botërore që do të këndojnë sonte në Royal Opera House përkrah Ermonelës do të jenë: Aleksei Isaev, Veena Akama-Makia, Barnaby Rea, etj.
Ky produksion vlerësohet edhe për regjinë e Sir Richard Charles Hastings Eyre, i cili është një regjisor anglez i filmit, teatrit, televizionit dhe operës. Eyre ka marrë vlerësime të shumta duke përfshirë tre çmime Laurence Olivier, si dhe nominime për gjashtë çmime BAFTA dhe dy çmime Tony.
Disa nga operat që ai ka vënë në skenë janë: “Carmen”, “Werther”, “Le nozze di Figaro”, “Manon Lescaut” etj. Ai ishte drejtor i National Theater në vitet 1988–97, si dhe mban titujt Kalorës dhe Shoqërues Nderi. /atsh



