Byroja Federale e Hetimeve po paralajmëron njerëzit që të ndalojnë menjëherë dërgimin e mesazheve të rregullta me tekst midis Android dhe iPhone.
Në vend të kësaj, përdoruesit këshillohen të përdorin mesazhe dhe thirrje telefonike të sigurta, të koduara në aplikacione si WhatsApp për të parandaluar që palët e treta të hakojnë bisedat e tyre.
Paralajmërimi vjen pasi hakerat kinezë thuhet se kanë hakuar një numër rrjetesh amerikane që janë ‘në vazhdimësi dhe me gjasë në shkallë më të madhe se sa kuptohej më parë’.
Edhe pse telefonatat ndërmjet të njëjtave marka telefonike janë të sigurta (Android në Android dhe iPhone në iPhone), mesazhet midis të dyve nuk janë të sigurta.
Nëse përdoruesit e celularëve nuk përdorin mesazhe dhe telefonata të enkriptuara nga skaji në skaj, ata po e lënë veten të pambrojtur që përmbajtja e tyre të përgjohet.
Paralajmërimi u lëshua pasi FBI-ja identifikoi një sulm kibernetik të synuar nga hakerët e njohur si Salt Typhoon, të cilët kishin vjedhur të dhënat e thirrjeve dhe teksteve nga ofruesit e telefonave celularë amerikanë.
Sulmet kishin në shënjestër kryesisht njerëz në qeveri apo aktivitete politike, por kjo nuk do të thotë që amerikani mesatar duhet të bëhet i vetëkënaqur.
Jeff Greene, ndihmës ekzekutiv i drejtorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës, dhe zyrtar i lartë i FBI-së, i tha Politico-s se amerikanët duhet të ndalojnë dërgimin e teksteve midis iPhone dhe Android dhe të kalojnë në aplikacione të koduara.
Aplikacionet e koduara mbrojnë të dhënat e përdoruesve duke i transformuar telefonatat dhe mesazhet e tyre në një format të palexueshëm për të parandaluar që palët e rrezikshme të kenë akses të paautorizuar.



