Më 26–27 shtator, Nepravishta bëhet pjesë e rrugëtimit “Tregime Fshati”.
Dy ditë të mbushura me histori, shije dhe përvoja autentike: nga mikpritja e bujtinave dhe tryezat me komunitetin, tek tingujt e polifonisë dhe udhëtimi shpirtëror drejt Teqesë së Melanit.
Nepravishta tregon zërin e saj në këtë udhëtim që lidh trashëgiminë kulturore me jetën e përditshme rurale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky fshat, teksa ftoi të gjithë të marrin pjesë në në këtë festë dhe të ndjekin performancat e shumta artistike si ajo nga Agona Shporta dhe Grupi Polifonik i Neprvishtës, apo filmi “Dita zë fill” nga Gentian Koҫi në kinemanë nën yje.
Nepravishta është fshati i dytë që i është bashkuar aplikimit të Shqipërisë në programin “Fshatrat më të mirë turistikë” nga Organizata Botërore e Turizmit, pas suksesit të kandidaturës së Voskopojës.
Programi synon të promovojë zonat rurale me potencial të lartë turistik, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.
Zona e Mbrojtur e Kalasë së Melanit është monument kulture i vitit 1963 me një sipërfaqe prej 87 mijë m2 dhe gështenjave të Nepravishtës.
Gjithashtu pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët. Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.
Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën nuk duhet të humbasin as Nepravishtën, një destinacion i ri dhe mjaft premtues në jug të vendit. Fshati Nepravishtë vitet e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj. /atsh