spot_img
E martë, 28 Tetor, 2025
22:27
HomeKulturëFilmat e Xhanfise Kekos shfaqen për herë të parë në Oslo

Filmat e Xhanfise Kekos shfaqen për herë të parë në Oslo

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Instituti Norvegjez i Filmit do t’i prezantojë publikut të Oslos tre filma të regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Homazhi kushtuar artistes së ekranit shqiptar do të nisë më 30 tetor, në Cinematekën e Oslos, ku për 74 minuta do të flitet shqip.

Filmi “Tomka dhe shokët e tij” është përzgjedhur të projektohet i pari dhe në ditët pasardhëse do të vijojnë filmat “Beni ecën vetë” (31 tetor) dhe “Kur xhirohej një film” (2 nëntor).

- Advertisement -

Organizatorët prej ditësh i kanë bërë publicitet këtij aktiviteti. Në dy nga faqet e katalogut periodik të Cinematekës mbi filmat që priten të shfaqen në Oslo, ka një shkrim prezantues për regjisoren Xhanfise Keko dhe krijimtarisë së saj, me titullin “Xhanfise Keko, zonja e parë e filmit shqiptar” dhe nën të “tre filma të firmosur nga regjisorja pioniere”.

“Xhanfise Keko është një regjisore që arriti të krijonte filma shoqërisht inteligjentë edhe poetikisht të sofistikuar në një periudhë censure të rreptë dhe përkundër kufizimeve të sistemit të rreptë komunist. Vitet e fundit, Xhanfise Keko ka marrë një njohje ndërkombëtare të vonuar, por të merituar, përmes pjesëmarrjes në festivale, prezantimit në kinoteka si dhe në filmat e regjisorit britanik të dokumentarëve dhe historianit të filmit Mark Cousins”, shkruhet në artikull.

- Advertisement -

Xhanfise Keko është një nga themelueset e Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku ka realizuar mbi 25 filma dokumentarë dhe artistikë midis viteve 1952 dhe 1984. Keko është veçanërisht e njohur për filmat e saj ku personazhet kryesore janë fëmijët dhe ku ka krijuar portretizime realiste të përsosura.

Për filmin “Tomka dhe shokët e tij” (1977), që do të shfaqet i pari në këto ditë homazhi dedikuar regjisores shqiptare, artikulli shkruan se është më i njohuri i Kekos. “Një film i shkëlqyer dhe i paparashikueshëm për një grup djemsh që planifikojnë dhe kryejnë një aksion sabotazhi kundër nazistëve gjermanë që kanë ngritur një kamp ushtarak në fushën e tyre të lojës. Filmi është i jashtëzakonshëm për realizmin e tij, por njëkohësisht të stilizuar, si dhe për interpretimet plot jetë të aktorëve të vegjël. Keko përdor arkitekturën e qytetit dhe lojën e fëmijëve si metafora për lirinë dhe bashkësinë, dhe filmi është përcaktuar si një kritikë e nënkuptuar ndaj klimës politike të kohës”, shkruhet në katalogun e Cinematekës së Oslos.

Kjo është hera e parë që filmat e Xhanfise Kekos shfaqen në Norvegji dhe organizatorët kanë bërë gjithçka që autorja shqiptare dhe filmat e saj të prezantohen sa më mirë tek shikuesi norvegjez. /atsh

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat