Filmi dokumentar-artistik “Bukuria e gomarit”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, pati premierën e tij në Festivalin prestigjioz të Filmit në Cyrih.
Ky produksion ofron një reflektim të ndjeshëm mbi brishtësinë e kujtesës, duke ndërthurur realitetin dokumentar me një gjuhë vizuale që të kujton përrallat.
Filmi është realizuar me regji dhe skenar nga Dea Gjinovci, ndërsa producent është Ilir Hasanaj. Në rolet kryesore shfaqen Asllan Gjinovci dhe Leart Gjinovci, së bashku me aktorë nga Makermali dhe Skenderaj.
Në ekipin realizues spikasin emra të njohur si Samir Karahoda dhe Samir Ljuma në kinematografi, Valmira Hyseni në produksion, si dhe një grup i gjerë profesionistësh nga Kosova, Zvicra, Franca dhe SHBA. Muzikën e filmit e ka realizuar Gael Kyriakidis, me vokale nga Arbëreshët, ndërsa ngjyrat janë punuar nga Raphaël Dubach.
Filmi është bashkë-produksion i Astrae Productions, Unseen Films, Haut et Court Doc, Facet (SHBA) dhe RTS, me mbështetje nga institucione të rëndësishme si Suissimage, Sundance Documentary Fund, Cineforom, Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe nga komuna të ndryshme në Kosovë dhe Zvicër.
Premiera në Cyrih u prit me interes të madh, duke shënuar një hap të rëndësishëm për prezencën e kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare.