Udhëheqësit e shtetit sillen me pozitat zyrtare sikur të ishin pronë e tyre personale apo si t’u ishin lënë trashëgimi me “tapi”.


Sot është fakt i njohur për të gjithë se njerëzit janë të varur në masë të madhe nga rrjetet sociale për të treguar aktivitetet e tyre dhe për të prezantuar veten. Në këtë kuadër, edhe udhëheqësit shtetërorë kanë profilet e tyre në këto rrjete, përmes të cilave ndajnë informacione për aktivitetet zyrtare. Megjithatë, në shumicën e vendeve demokratike, qasja e udhëheqësve shtetërorë në rrjetet sociale është e rregulluar me ligje strikte dhe mirëmbajtja e tyre kryhet nga ekipe profesionistësh.
Kur një udhëheqës shtetëror merr detyrën zyrtare, i hapet një llogar i në rrjetet sociale në kuadër të funksionit të tij, ku pasqyrohen detyrat dhe lidhjet institucionale që ai përfaqëson në emër të publikut. Në Kosovë, ndodh e kundërta. Edhe pse Kryeministër i vendit, në profilin e tij mund të vërejmë që janë publikuar vetëm e-mail dhe faqja e internetit e partisë së tij, ndërsa nuk gjendet asnjë lidhje me institucionet apo portalin shtetëror të Kosovës. E njëjta nuk mund të thuhet për të parën e vendit, presidenten, Vjos Osmani.
Kur zyrtarë të lartë, si Presidentja apo Kryeministri, përdorin profilet e tyre private për të komunikuar në emër të shtetit, ata ngatërrojnë komunikimin zyrtar me atë personal. Kjo praktikë krijon paqartësi në dallimin midis detyrave zyrtare dhe aktiviteteve private, duke përzier përgjegjësitë e shtetit me interesat personale. Në vendet demokratike, profilet private dhe ato zyrtare janë të ndara për të ruajtur transparencën dhe për të shmangur përvetësimin e rolit publik për përfitime personale.
Ne, edhe kur jemi në funksione zyrtare, shpeshherë sillemi në mënyrë lokale, sikur të vepronim vetëm në emër të një partie apo grupi të caktuar, dhe jo në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.




by: Storm-rks