Revista prestigjioze amerikane “Forbes” ka renditur bregdetin shqiptar në krye të 5 destinacioneve europiane ku duhet investuar në pasuri të paluajtshme.
Në një listë të shkurtër ku sugjerohen vendet për blerjen e një shtëpie pa shpenzuar shifra marramendëse dhe ku standardi i jetesës nuk paraqet probleme, në krye është Vlora.
“Shqipëria ka qenë prej kohësh një vendpushim i njohur për plazhe me kosto të ulët për pushuesit evropianë”, shkruan Forbes, duke theksuar se tashmë bregdeti shqiptar po shfaqet në radarët e udhëtarëve amerikanë – ndoshta pjesërisht për shkak të vëmendjes që Ivanka Trump dhe Jared Kushner po i sjellin këtij vendi ballkanik.
Forbes nënvizon se edhe ata kanë pushuar në Shqipëri vitet e fundit dhe aktualisht po punojnë për ngritjen e një hoteli luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.
Në artikull thuhet se është e lehtë të kuptosh atraktivitetin e Shqipërisë.
Ajo krenohet me një kryeqytet të gjallë, peizazhe të ashpra malore dhe një vijë bregdetare mahnitëse përgjatë deteve Adriatik dhe Jon të Mesdheut.
“Një nga destinacionet më të njohura është Vlora, një qytet bregdetar përgjatë Rivierës Shqiptare me histori të pasur dhe plazhe të mrekullueshme. Këtu është e mundur të blini një pronë shumë pranë plazhit për 100 mijë dollarë, ose ndoshta shumë më pak”, shkruan Forbes.
Pas Vlorës, në renditje vijnë Abruzzo në Itali, Olvera në Spanjë, Selaniku në Greqi dhe Burgasi në Bullgari.
Nëse po planifikoni një fillim të ri jashtë vendit apo thjesht dëshironi një shtëpi interesante pushimi, secili prej këtyre destinacioneve ofron çmime të përballueshme dhe një kulturë të pasur.