Forcat e sigurisë iraniane hapën zjarr ndaj dhjetëra protestuesve që po përpiqeshin të iknin nga pazari historik i Rashtit, i cili ishte përfshirë nga flakët, gjatë protestave masive kundër regjimit në fillim të këtij muaji, raportojnë dëshmitarë për The Washington Post.
Sipas katër dëshmive të mbledhura, policë të uniformuar, pjesëtarë të forcave speciale dhe agjentë civilë – disa në këmbë e disa me motoçikleta – qëlluan drejtpërdrejt mbi qytetarët e paarmatosur me pushkë automatike dhe armë gjahu, ndërsa ata përpiqeshin të shpëtonin nga zjarri.
Protestat në Rasht nisën si reagim ndaj krizës ekonomike dhe u intensifikuan kur tregtarët e pazarit mbyllën dyqanet në shenjë greve. Sipas dëshmive, autoritetet ushtruan presion dhe kërcënime ndaj tregtarëve për t’i detyruar të rihapnin bizneset, por ata refuzuan.
Më 8 janar, mijëra protestues dolën në rrugë, duke marshuar drejt qendrës së qytetit dhe pazarit. Fillimisht u përdor gaz lotsjellës, por më pas forcat e sigurisë nisën të qëllonin drejtpërdrejt mbi turmën. Pamje të verifikuara tregojnë të shtëna, britma dhe persona të plagosur në rrugë.
Kur pazari u përfshi nga flakët, shumë protestues ishin strehuar brenda tij për t’u mbrojtur nga të shtënat. Dëshmitarët thonë se, ndërsa njerëzit dilnin për të shpëtuar nga zjarri, u përballën me breshëri plumbash. “I vranë njerëzit që po iknin,” tha një protestues. “I pashë me sytë e mi.”
Sipas dy dëshmitarëve, forcat e sigurisë gjithashtu penguan zjarrfikësit të ndërhynin për orë të tëra. Si pasojë, mbi 30 biznese u shkatërruan plotësisht nga zjarri, ndërsa pazari u reduktua në hi.
Të dhëna të siguruara nga personel mjekësor tregojnë se vetëm në dy spitale të Rashtit u regjistruan mbi 80 viktima gjatë dy ditëve më të përgjakshme. Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut HRANA raporton mbi 390 të vrarë në qytet pas fillimit të bllokimit të komunikimeve nga qeveria iraniane.
Autoritetet iraniane kanë fajësuar “trazuesit” dhe “forcat e huaja” për dhunën, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin, ndërsa dëshmitë nga terreni tregojnë për një shtypje të ashpër dhe të koordinuar të protestave civile.
Ngjarjet në Rasht konsiderohen vetëm një pjesë e vogël e një operacioni represiv të përmasave kombëtare, me dhjetëra qytete të përfshira nga protesta dhe dhunë ekstreme shtetërore.



