Forcat e sigurisë së Sirisë kanë filluar të vendosen në provincën jugore të trazuar të Suwayda-s, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, ku luftimet e ashpra midis grupeve të armatosura druze dhe beduine dhe forcave qeveritare kanë lënë qindra të vdekur.
Presidenca siriane njoftoi të shtunën një armëpushim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës.
“Në dritën e rrethanave kritike që po kalon vendi dhe nga shqetësimi për të kursyer gjakun sirian, për të ruajtur unitetin e territorit sirian, sigurinë e popullit të tij dhe në përgjigje të përgjegjësisë kombëtare dhe humanitare, Presidenca e Republikës Arabe Siriane shpall një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të menjëhershëm”, thuhet në një deklaratë.
“Presidenca u bën thirrje të gjithëve që të lejojnë hapësirë për shtetin sirian, institucionet dhe forcat e tij për të zbatuar këtë armëpushim në mënyrë të përgjegjshme, në një mënyrë që siguron konsolidimin e stabilitetit dhe ndërprerjen e gjakderdhjes”, shtoi ajo.
Zhvillimet u paraprinë disa orë më parë nga njoftimi i i dërguari i Shteteve të Bashkuara se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për një armëpushim, pas ditësh gjakderdhjeje në zonën kryesisht druze.
Njoftimi i ambasadorit të SHBA-së në Turqi, Tom Barrack, kishte për qëllim arritjen e një armëpushimi të pasigurt midis fqinjëve pas ditësh sulmesh ajrore dhe gjakderdhjesh sektare në rajonin e Suwayda-s.
Barrack tha në një postim në X herët të shtunën se armëpushimi midis Sirisë dhe Izraelit u “mbështet” nga Uashingtoni dhe u “përqafua” nga Turqia, Jordania dhe fqinjët e Sirisë.
Në postimin e tij ku njoftohej armëpushimi, Barrack tha se SHBA-të u bënë thirrje “druzëve, beduinëve dhe sunitëve që të ulin armët dhe së bashku me pakicat e tjera të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian në paqe dhe prosperitet me fqinjët e tyre”.
Një zyrtar izraelit, i cili nuk pranoi të identifikohej, u tha gazetarëve të premten se në dritën e “paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në Sirinë jugperëndimore”, Izraeli kishte rënë dakord të lejonte “hyrjen e kufizuar të forcave të sigurisë së brendshme [siriane] në distriktin Suwayda për 48 orët e ardhshme”.
Të mërkurën, Izraeli nisi sulme të rënda ajrore ndaj Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë në zemër të Damaskut dhe gjithashtu goditi forcat qeveritare siriane në rajonin Suwayda të vendit.