Për të gjithë dashamirësit e kulturës dhe historisë, DRTK Shkodër në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) organizuan ekspozitën fotografike “Dyer që flasin n’Gjuhadol”.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë, paraqet përmes fotografive dyert e vjetra të qytetit, të cilat përcjellin historinë e tyre dhe të qytetit.

“Kjo është një mundësi për të përjetuar nga afër një pjesë të Shkodrës që ruan gjurmët e së kaluarës”, shkruan DRTK Shkodër.
Së bashku me COD, DRTK Shkodër, ka ndërmarrë një nismë të veçantë për dokumentimin e dyerve të vjetra të qytetit, duke zbuluar historitë e tyre dhe detajet arkitektonike unike. Kjo iniciativë synon të mbrojë trashëgiminë kulturore të Shkodrës, duke sjellë në jetë kujtimet dhe historitë e këtyre dyerve, lidhjet e tyre me familjet dhe identitetin historik të qytetit.

Përmes fotografive që ndau në rrjetet sociale Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, duket se ekspozita ka ngjallur kureshtjen e grupmoshave të ndryshme, përfshirë nxënësve të shkollave.
Banesat Shkodrane në shek. XVIII-XIX, për shkak të zgjerimit të qytetit në pjesën fushore, karakterizohen nga oborre të mëdhenj ku binin në sy portat e jashtme, të cilave i kushtohej kujdes në aspektin estetik, si dhe funksional, duke u dekoruar me qemere dhe elemente të tjera guri ose druri të gdhendur. Dera prej druri ndahej në dy pjesë, ku kapaku i madh hapej vetëm për qerret, ndërsa dera e instaluar në njërën prej kapakëve, funksiononte për hyrje-dalje të pjesëtarëve të familjes dhe miqve.

Element dallues në derë ishte “rezja” që zakonisht punohej tek kovaçi dhe forma më e përhapur ishte ajo e patkoit të zgjatur. Këto dyer, së bashku me këto elemente, ishin dukshëm një prezantim i rangut shoqërorë të familjeve që banonin në këto banesa, për kohën kur u ndërtuan.
Me kalimin e kohës, ndërtimet e stilit neoklasik në qendër të qytetit, nga fundi shek. XIX-fillim shek. XX, ku dyert për shkak të pozicionimit në fasadë erdhën duke u zvogëluar në forma dhe përmasa, për rrjedhojë forma dhe stilizimi i rezeve fitoi elemente të reja dekorative, duke futur motive floreale, zoomorfe dhe humanoide, raporton atsh.
Këto elemente ruhen sot me fanatizëm nga shumë familje si kujtesë historike, por edhe si dëshmi e dijebërjes, traditës së shumë zejeve, duke i dhënë banesës shkodrane formën e një ansambli muzeor në dru, gur, hekur dhe plot pasuri të tjera etnografike.



