Festimet e Ditës së Verës vazhdojnë edhe këtë të diel në Elbasan. Koleksioni i rrallë i makinave klasike retro është prezantuar sot në sheshin Gensher në qendër të qytetit, ku qytetarë dhe turistë të shumtë i kanë vizituar nga afër.

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga ky aktivitet në Elbasan, ku automjetet klasike, sollën frymë nostalgjie dhe elegance në zemër të qytetit.

Ngjyrat, format karakteristike dhe historia që mbart çdo makinë krijuan një atmosferë nostalgjie dhe kurioziteti për të gjithë ata që u ndalën për t’i parë nga afër apo për të bërë fotografi. Ky aktivitet është kthyer tashmë në një traditë që i shton edhe më shumë hijeshi festimeve të Ditës së Verës në qytet.

Makinat retro u kthyen në një nga atraksionet më të veçanta të festës, duke sjellë një udhëtim simbolik në kohë dhe duke i dhënë Elbasanit një tjetër atmosferë në këtë ditë të veçantë pranvere.

Dita e Verës nuk është vetëm një festë është një simbol i pranverës, i bashkimit dhe i gëzimit që ndajnë njerëzit mes tyre.

Elbasani edhe këtë vit, u mbush me gjallëri, ngjyra dhe emocione, duke festuar mes qindra qytetarëve Ditën e Verës, një nga traditat më të bukura shqiptare.

Rrugët e qytetit u kthyen në një skenë festive ku turistë dhe vizitorë u bashkuan për të shijuar atmosferën e veçantë që sjell kjo ditë. /atsh



