Njohja nga Kenia e zë në befasi MPJD-në – Gërvalla me reagim kontradiktor, kritikat shpërthejnë ndaj qeverisë Kurti
Prishtinë, 26 mars 2025 – Njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga Kenia, një nga shtetet më me peshë në kontinentin afrikan dhe aleat i afërt i SHBA-së, është pritur me entuziazëm në opinionin publik dhe diplomatik. Por reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përkatësisht i ministres Donika Gërvalla, ka shkaktuar habi, zhgënjim dhe kritika të shumta – si për përmbajtjen, ashtu edhe për tonin e tij.

Në vend të një falënderimi të qartë dhe diplomatik ndaj presidentit aktual të Kenias, William Ruto, i njohur si figurë pro-perëndimore dhe aleat i SHBA-së, Gërvalla ka zgjedhur të përmendë ish-presidentin pro-rus, Uhuru Kenyatta, i cili gjatë mandatit të tij kishte refuzuar ta njihte Kosovën. Deklarata e saj përmend një takim të vitit 2021 me Kenyattën si pjesë të “rrugës drejt njohjes”, duke anashkaluar plotësisht rolin real të aktorëve që mundësuan këtë hap diplomatik.
Në opinionin publik dhe mediat sociale, kjo është interpretuar si shenjë e inatit institucional, pasi sipas burimeve të shumta, njohja nga Kenia nuk është arritur nga MPJD apo Qeveria Kurti, por përmes angazhimit personal të Behgjet Pacollit, ish-ministër i jashtëm dhe deputet.
Gazetari kosovar Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres, duke e cilësuar si “rëshqitje totale” të një ministreje që ka dështuar në misionin e saj. “Në vend se të falënderojë presidentin aktual të Kenias, ajo e falënderon një pro-rus që nuk e njihte Kosovën. Ose nuk ka qenë fare në dijeni të kësaj njohjeje, ose është thjesht ekstremisht e padijshme – ndoshta edhe të dyja,” shkruan Mehmetaj në reagimin e tij.
Ky zhvillim e vë në pah edhe më thellë dështimin diplomatik të qeverisë Kurti, e cila në më shumë se pesë vjet qeverisje nuk ka siguruar asnjë njohje të re për Kosovën, përkundër premtimeve për agresivitet diplomatik dhe konsolidim ndërkombëtar. Kjo është njohja e parë pas një pauze të gjatë dhe vjen jashtë kanalit institucional, duke vënë në pikëpyetje gjithë funksionin dhe efektivitetin e politikës së jashtme të Kosovës.
Reagimet kritike po intensifikohen edhe nga njohës të politikës së jashtme dhe diplomatë të mëhershëm, të cilët kërkojnë një rivlerësim të urgjencës që ka Kosova në konsolidimin ndërkombëtar, veçanërisht në prag të betejave të reja për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.