Vushtria e “policuar” pas dy vrasjeve – ndërmerren masa kundër armbajtjes pa leje dhe krimit
Vushtrri, 26 mars 2025 – Pas dy vrasjeve tragjike që tronditën qytetin këtë javë, autoritetet komunale dhe Policia e Kosovës kanë shtuar ndjeshëm prezencën në terren, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e krimeve të rënda.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka ndërmarrë hapa konkretë në bashkëpunim me Policinë, pas kërkesës së ardhur nga Drejtoria Komunale e Arsimit. Masa të veçanta sigurie janë ndërmarrë në afërsi të shkollave, rrugëve kryesore dhe vendeve të frekuentuara nga të rinjtë.

Në kuadër të këtyre veprimeve, Policia ka realizuar kontrolla të befasishme, ndalime të automjeteve, verifikim të personave të dyshimtë dhe konfiskim të mjeteve të mundshme të rrezikshme. Pjesëtarë të njësive patrulluese dhe civilë janë vendosur në pika kyçe të qytetit.

Përmes këtij operacioni, autoritetet synojnë të parandalojnë armbajtjen pa leje, të godasin veprimtarinë kriminale dhe të ofrojnë siguri të shtuar për nxënësit dhe qytetarët e Vushtrrisë.
Burime brenda Policisë kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërkohë që qytetarët janë inkurajuar të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.



