Më 18 shkurt të vitit 1975 u nda nga jeta aktori Naim Frashëri.
Ishte pasardhësi i një familjeje bejlerësh nga Përmeti, por lindi në Leskovik më 15 gusht të vitit 1923. Fillimet artistike i pati në skenën e teatrit partizan, ku spikati për gjetjet aktoreske, e pas Luftës në Teatrin Kombëtar, në vitin 1945.
Disa prej roleve të tij më të duartrokitura janë: Valeri te “Tartufi”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka te “Përkolgjinajt”, Nikolla te “Armiqtë”, Sasha Ribakov tek “Orët e Kremlinit”, Lubeni te “Procesi i Lajpcigut” dhe Hamleti te “Hamleti”.
Jonuz Bruga te “Familja e Peshkatarit”, do të ishte roli i 80-të dhe i fundit që do të realizonte Naim Frashëri në karrierën e tij të ngjeshur.
Në zhanrin e filmit ka interpretuar në 8 prodhime kinematografike, mes të cilave tek “Skënderbeu” më 1953-shin, si edhe tek filmi “Tana” më 1958-ën. Në vitin 1959 iu akordua Çmimi i Republikës, klasi I. Për mjeshtërinë e tij, është nderuar gjithashtu, me urdhrin e lartë “Hero i Punës Socialiste” dhe me titullin “Artist i Popullit”. /atsh



