Mes peizazheve të bukura malore dhe natyrës së paprekur të veriut të Shqipërisë, fshati Levrush në Pukë është një tjetër atraksion, pjesë e “hartës” turistike të vendit.
I rrethuar nga male, pyje, me mikpritjen karakteristike të banorëve të zonës, ky fshat vazhdon të ruajë autenticitetin e traditave lokale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky fshat, të cilin e cilësoi si panoramën magjepsëse të fshatit Levrushk në Pukë, aty ku lumi i Gominës bashkohet me luginën e Drinit, mes gjelbërimit dhe maleve.
Fshati Levrushk ofron një panoramë të veçantë natyrore që tërheq vëmendjen e çdo vizitori. Produktet tradicionale të zonës, si bulmeti, mjalti dhe ushqimet bio, vlerësohen për cilësinë dhe origjinën natyrale.
Zona ka potencial edhe për zhvillimin e turizmit malor dhe atij natyror, falë ajrit të pastër, klimës së freskët dhe bukurive që ofron gjatë çdo stine. Vizitorët mund të shijojnë ecjet në natyrë, qetësinë e zonës dhe mikpritjen tradicionale të banorëve vendas.
Levrushku, ngjan me një copëz parajse në tokë, aty ku natyra, kultura dhe historia ndërthuren për të krijuar një identitet të veçantë lokal. /atsh



