spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
08:09
HomeSiguriaUshtriaFSK merr pjesë në “Defender Europe 2025”, ushtrim strategjik dhe i rëndësishëm

FSK merr pjesë në “Defender Europe 2025”, ushtrim strategjik dhe i rëndësishëm

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Republika e Kosovës është njëra ndër 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku marrin pjesë 25 mijë ushtarë nga 29 vende të NATO-s.

Krejt kjo po ndodh në kuadër të ushtrimin “Defender Europe 2025” që po mbahet nga 26 maji deri më 9 qershor.

- Advertisement -

Përveç që Republika është nikoqire, e veçanta e këtij ushtrimi këtë herë është se në Aeroportin e Gjakovës është vendosur Komanda e Divizionit të 28 të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, ku nga aty do të drejtohen të gjitha ushtrimet në regjionin e Evropës Juglindore.

I njëjti ushtrim ka filluar edhe zyrtarisht sot në Republikën e Shqipërisë.

- Advertisement -

Nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë. Nisja e këtyre trupave të Forcës Tokësore Shqiptare u bë para të mëngjesit të sotëm.

Kjo shënon edhe fillimin zyrtar të stërvitjes së përbashkët “Defender Europe ‘25” edhe në Republikën e Shqipërisë.

Kjo stërvitje ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë, zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Evropiane të SHBA-së, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.

Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.

Në njoftimin e Ministrisë së  Mbrojtjes thuhet se kjo ministri dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbeten të angazhuara për të siguruar një mjedis operacional të suksesshëm dhe për të kontribuar në mbrojtjen kolektive, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.

E derisa në Shqipëri sot ka filluar ky ushtrim, në kampin ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Babaj të Bokës, tashmë po zhvillohen stërvitjet.

Qysh nga dita e hënë, aty janë vendosur, përveç trupave të FSK-së, ushtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë.

Krah 1000 ushtarë të Forcës së Republikës, pjesëtarë të këtyre shteteve, në këto male do të demonstrojnë aftësitë profesionale dhe ushtarake.

E gjithë kjo nën udhëheqjen e ushtrisë së SHBA-së.

Për ish-ushtarakët dhe njohës të çështjeve të sigurisë, mbajta për herë të tretë e këtij ushtrimi në Kosovë është një lajm shumë i rëndësishëm për vendin.

“Është një prej ushtrimeve më të rëndësishme të FSK-së”, theksoi Nuredin Ibishi, ish-ushtarak dhe  njohës i çështjeve të sigurisë.

Duke qenë se Republika e Kosovës është vend pritës, ajo po luan rol  kyç në këtë ushtrim.

“Truri” i kësaj stërvitjeje, divizioni i 28 i këmbësorisë së Ushtrisë së SHBA-së, është vendosur në Aeroportin e Gjakovës.

Nga aty, kjo komandë taktike amerikane do të udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore.

Dhe vetë zgjedhja e SHBA-së për vendosjen e këtij divizioni në Kosovë, tregon për besimin që ka Amerika në ushtrinë e vendit.

“SHBA janë duke e konfirmuar nëpër periudha të ndryshme faza atë që Kosova është një partner i besueshme dhe shtet mik dhe shumë lojal populli i Kosovës është më pro amerikan dhe besueshmëria për stabilitetin e Kosovës dhe partneritetin që ofron Kosova janë shumë të çmuara, për mua kjo është një rikonfirmim i besueshmërisë dhe aleancës miqësore…”, tha Fatrmir Çollaku, njohës i fushës së sigurisë.

“Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat