Fushatë e hershme me projekte të “huazuara” – Propaganda qeveritare në kulmin e saj
storm•/Zgjedhjet 2025: Në kohën kur Kosova përballet me sfida të mëdha dhe pakënaqësi të qytetarëve, qeveria ka nisur një valë propagande elektorale, duke i shitur si suksese projekte që as nuk janë ideuar dhe as përfunduar gjatë mandatit të tyre. Postimi i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i mbushur me foto të projekteve infrastrukturore, është ripostuar nga kryeministri Albin Kurti për të përfituar nga audienca e tij më e gjerë në rrjete sociale.
Kjo strategji e kopjimit dhe riambalazhimit të projekteve është një përpjekje e qartë për të mashtruar publikun, duke e paraqitur si punë të qeverisë aktuale atë që në realitet është produkt i qeverive të mëparshme. Pavarësisht se këto projekte kanë qenë në proces shumë më herët, qeveria synon t’i përvetësojë si “arritje personale” në kohën kur po afron fushata zgjedhore.
Nuk është hera e parë që kjo qeveri, e cila dikur premtonte ndryshim dhe transparencë, përdor metoda të vjetra për të manipuluar opinionin publik. Në vend që të përqendrohet në përmbushjen e premtimeve të veta, ajo ka zgjedhur të ripostojë suksese të huaja dhe të mbulojë dështimet e veta me fasadën e projekteve të trashëguara.
Pra, nëse rrjetet sociale po bombardohen me “punët e mëdha” të kësaj qeverie, kujtoni mirë: jo çdo ndërtim që shihni është rezultat i kësaj qeverisjeje. Shumë nga këto projekte janë ripostime të punëve të nisura nga ata që sot qeveritarët nuk lodhen së sharuri. Në vend që të sjellin ide të reja, ata mbështeten në sukseset e tjerëve për të mbuluar boshllëkun e arritjeve të tyre reale.
Fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, por propaganda ka marrë tashmë hovin maksimal. Pyetja mbetet: Sa larg do të shkojë qeveria për të rishkruar historinë e projekteve të Kosovës?



