Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Fushë Kosovë kanë ndaluar sot pasdite tre të dyshuar që po bartnin një sasi të madhe të barnave me vetura. Hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) në Prishtinë janë vënë menjëherë në dijeni për rastin.
Dyshohet se barnat janë futur në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, duke anashkaluar procedurat ligjore të importit. Inspektorët farmaceutikë kanë bërë evidentimin e barnave dhe kanë konstatuar se vlera e tyre arrin rreth 150 mijë euro.
Policia ka arrestuar tre persona – dy shtetas turq dhe një kosovar – ndaj të cilëve është iniciuar procedura penale për veprat: “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “Kontrabanda me mallra”. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në kuadër të hetimeve, dy zyrtarë doganorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Me vendim të prokurorit, një prej tyre është ndaluar, ndërsa ndaj tjetrit procedura do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.






