Ekipi polak Widzew Łódź ka transferuar mbrojtësin e majtë nga Kosova, Dion Gallapeni.
Ekipi ka thurur fjalë të mira për Gallapenin, duke treguar se pavarësisht moshës së tij të re, mbrojtësi sulmues ka bërë 61 paraqitje zyrtare për ekipin e parë të Prishtinës, raporton Storm.
Ai ka luajtur 49 ndeshje në Ligën e Parë të Kosovës, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë tetë asiste.
Ai ka bërë 12 paraqitje në kupat vendase, duke shtuar tre gola dhe dy asiste. Ai e ndihmoi klubin të fitonte Kupën e Kosovës.
Dion Gallapeni ka gjithashtu tri paraqitje për ekipin e parë të Kosovës, pasi luajti për ekipin e të rinjve.
Ai debutoi për ekipin kombëtar të të rriturve në mars të këtij viti gjatë një ndeshjeje play-off kundër Islandës në Ligën e Kombeve, e cila përfundoi me ngjitjen në Divizionin B. Në qershor, ai luajti në dy ndeshje miqësore kundër Armenisë dhe Komoreve.
“Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën time dhe jam i lumtur që bëra këtë zgjedhje. Widzew është një klub me tradita të shkëlqyera, një numër të madh tifozësh të çmendur dhe një projekt ekipor që është një shans për zhvillim të mëtejshëm. Kur mora ofertën nga Widzew Łódź, fola me Kreshnik Hajrizi, i cili luajti këtu së fundmi, dhe ai më tha se do të ishte një lëvizje e mirë për mua”, tha Dion Gallapeni.
“Në fazën mbrojtëse, Dion parashikon dhe lexon shumë mirë lojën, dhe është gjithashtu i gatshëm të bëjë presion mbi kundërshtarin. Ai është gjithashtu i kujdesshëm në markimin e kundërshtarit. Në sulm, ai krijon hapësirë për shokët e ekipit dhe bashkëpunon shumë mirë me ta. Ai krijon një avantazh në gjysmën e kundërshtarit dhe asiston në golat e shënuar nga skuadra e tij”, tha drejtori sportiv i Widzew Łódź, Mindaugas Nikolicius.
“Rajoni i Ballkanit është plot me talent dhe lojtarë me karakter dhe shpirt luftarak, të cilët na duhen në Klub. Personalisht, kam pritshmëri të larta nga Dioni dhe nuk kam dyshim se ai do t’i përmbushë ato. Gjithashtu, ia vlen të shtohet se po ndërtojmë një Widzew të fortë, sepse po sjellim një tjetër lojtar nga ekipi kombëtar”, shtoi ai.
Dion Gallapeni i është bashkuar Widzew Łódź me një transferim të përhershëm.
Ai ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin, e vlefshme deri në fund të qershorit 2029.