Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, përmes një shkrimi të gjatë në profilin e tij ka përshkruar gjendjen në veri të vendit dhe gjithë atë që ka ndodhur në atë pjesë të Republikës së Kosovës përgjatë gjithë qeverive që ka pasur Kosova.
Gashi ka përmendur pikat kufitare të kohës së Thaçit, marrëveshjet e arritura nga Thaçi e Isa Mustafa për Asociacionin, veprimet e Ramush Haradinajt dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, dhe në fund ka përmendur edhe atë se çfarë ka bërë qeveria e Albin Kurtit.
Sipas Gashit, përgjatë qeverisjes së Kurtit, autoriteti i Kosovës në Veri është zgjeruar ndjeshëm, megjithatë ai shton se Kurti ka arritur marrëveshje me Vuçiqin për “vetëmenaxhimin e komunave me shumicë serbe dhe ka pranuar planin e sekuencimit.
Postimi i plotë:
Ta themi të vërtetën për Veriun – pa mite, pa manipulime, por me fakte dhe përgjegjësi shtetërore.
Me shpalljen e pavarësisë (2008), Veriu u mbyll.
U bllokuan rrugët, u dogjën pikat kufitare dhe u bë praktikisht e pamundur depërtimi i institucioneve të Kosovës në atë pjesë të territorit.
Në vitin 2011, në qeverinë Thaçi, u tentua vendosja e rendit dhe ligjit me forcën e Policisë së Kosovës.
Në këtë përpjekje ra heroikisht polici Enver Zymberi.
Pas kësaj periudhe strategjia ndryshoi: çështja e Veriut u ngrit në nivel ndërkombëtar dhe nisën negociatat.
Po, Hashim Thaçi nënshkroi Marrëveshjen e Parimeve, e cila përfshiu:
– Asociacionin e komunave me shumicë serbe;
– Kompetencat në policinë lokale;
– Gjykatën e Apelit në veri;
– Integrimin e strukturave paralele në institucionet e Kosovës.
Dhe, po, u lejua lëvizje më e lirë në veri.
Po, me qeverinë Mustafa u nënshkrua marrëveshja për parimet e statutit të Asociacionit:
– me dy siguresa kryesore: Gjykata Kushtetuese jep verdiktin përfundimtar;
– dhe me letrën e Mogherinit që garanton se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
U shtri autoriteti i shtetit në veri, u ndal depërtimi provokues i Serbisë – përfshirë edhe trenin famëkeq – dhe u ndërmorën masa të tjera të rëndësishme të sigurisë.
Po, Ramush Haradinaj e takoi publikisht përfaqësuesin e Listës Serbe në zyrën e Kryeministrit.
Por pikërisht në qeverinë Haradinaj ndodhi një kthesë historike:
– Arrestimi i Marko Gjuriqit në veri, i futur në Kosovë pa leje dhe pjesëmarrës në tubim të paligjshëm.
Me atë rast u ndal përfundimisht demonstrimi i zyrtarëve shtetërorë serbë në Kosovë.
U votua Ushtria e Kosovës, dhe nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje e re me Serbinë.
Po, qeveria Hoti normalizoi raportet e rrezikuara me SHBA dhe nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit, që atëherë u kritikua, por sot shumë prej atyre kritikëve mburren me të.
Pati takime në Bruksel, por jo marrëveshje të dëmshme.
Dhe pastaj erdhi qeveria Kurti.
Po, autoriteti i institucioneve të Kosovës në veri u zgjerua ndjeshëm.
Pas rënies heroike të policit Afrim Bunjaku, u çmontuan strukturat kriminale të lidhura me Serbinë dhe Listën Serbe.
Sot nuk ka më demonstrime të strukturave paralele, kriminale apo shtetërore të Serbisë në veri.
Ka më shumë shtet të Kosovës se kurrë më parë.
Por, paralelisht:
– u nënshkrua Marrëveshja e Parimeve Kurti–Vuçiç, që në nenin 7 parasheh “vetëmenaxhim për komunat me shumicë serbe sipas praktikave evropiane”;
– dhe u pranua marrëveshja e sekuencimit në Ohër.
Të dyja rrisin peshën juridike të konceptit të “vetëmenaxhimit”, më shumë se marrëveshjet Thaçi–Daçiç dhe Mustafa–Vuçiç.
⸻
ÇFARË DEL SI KONKLUZION?
Në 15 vitet e fundit, prej vitit 2011 deri sot, kemi parë përmirësim të vazhdueshëm të gjendjes faktike në veri, në favor të shtetit të Kosovës:
– nga integrimi i strukturave paralele,
– deri te eliminimi praktik i tyre sot.
Por paralelisht kemi katër marrëveshje bazë që e kanë forcuar rolin e Asociacionit / Bashkësisë / Zajednicës / Vetëmenaxhimit, dhe rreziku juridik mbetet real.
⸻
MËSIMI QË DUHET NXJERRË
Ashtu si në modelet e propozuara të paqes për Ukrainën – elementi kyç është gjendja faktike e kontrollit të territorit.
Ne nuk guxojmë të humbim kontrollin dhe sundimin e ligjit në veri.
Dhe nuk duhet të pranojmë asnjë strukturë me kompetenca ekzekutive mbi baza etnike, sido që të quhet:
Asociacion, Bashkësi, Zajednicë, Vetëmenaxhim.
⸻
NGA KY PROCES ZGJEDHOR TË DALIM ME QARTËSI E MARRËVESHJE
– E njohim procesin;
– E pranojmë progresin faktik;
– I dimë rreziqet juridike e politike;
– Por bashkë i parandalojmë.
⸻
Kosova ecën para – me ide, me vizion, me dialog, me debate të forta, por gjithmonë me shtetin mbi gjithçka.
Fitore për Kosovën! 🇽🇰



