Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Europën i NATO-s, Wesley Clark, është konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Clark mbajti këtë post gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1997 deri në vitin 2000.
“Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues të 2 shtatorit 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi njofton se është marrë miratimi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara (“Ofruesi i Rregullit 107”), që autorizon deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit të saj të fundit, 1DW-007, Gjeneral Wesley Clark”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Clark organizoi dhe mbikëqyri fushatën ajrore që filloi më 24 mars 1999 dhe zgjati 78 ditë, e cila kishte në synim t’i jepte fund represionit dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Fushata e drejtuar nga Clark detyroi kriminelin e luftës, ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të tërhiqte forcat serbe nga Kosova në qershor 1999, duke i hapur rrugë vendosjes së trupave të KFOR-it, mision i NATO’s, si dhe kthimit të refugjatëve.



