Artisti i njohur shqiptar, Gjesti, i shoqëruar nga avokatët e tij, ka dorëzuar sot zyrtarisht një kallëzim penal ndaj kompanisë muzikore „Onima“, stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Në një prononcim të drejtpërdrejtë për mediat pas dorëzimit të lëndës në organet e drejtësisë, këngëtari sqaroi se qëllimi i tij është mbrojtja e punës së tij dhe liria për të vazhduar karrierën i pavarur nga kjo kompani. Ai pretendon se i janë keqpërdorur të drejtat e autorit përmes kontratave të nënshkruara pa autorizimin e tij.
„Kemi bërë kallëzim penal ndaj kompanisë ‘Onima’. Nuk po kërkoj asgjë më shumë e as më pak, veçse të jem i lirë nga kjo kontratë dhe të marr paratë e mia që më takojnë“, deklaroi Gjesti para gazetarëve.
Beteja ligjore e Gjestit po ndiqet me interes të madh, pasi ai akuzon kompaninë për nënshkrim të kontratave rreth të drejtave të autorit pa dijeninë e tij. Avokatët e artistit kanë konfirmuar se do të kërkojnë drejtësi deri në fund për mbrojtjen e krijimtarisë artistike dhe financiare të këngëtarit.



