Një postim në Facebook nga kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, ka ndezur një seri reagimesh – fillimisht me dyshime e akuza, por më pas me komente të shumta në mbështetje të tij. Gjini publikoi disa fotografi duke pretenduar se paraqesin përparimin e punimeve në Stadiumin e Qytetit të Gjakovës, të cilin e përshkroi si projekt që “po merr formë dita-ditës”.
Por postimi mori një kthesë ironike kur një komentues, Onur Dauti, reagoi duke thënë:
“Këto pamje janë nga stadiumi i qytetit të Gjilanit. Mos përfito nga puna e tjerëve!”
Kjo shkaktoi një valë reagimesh që shpejt morën ngjyrime përqeshëse, duke e kthyer përplasjen në një mini-duel politik virtual mes mbështetësve të Gjakovës dhe komentuesve nga qytete të tjera.
Lirak Bakija, një tjetër komentues, shkroi me ironi:
“T’i japim një palë syze o Dauti, se stadiumi i Gjilanit është për të mbjellë patate.”
Ndërsa Luljeta Rexha shtoi: “Gjilani si me shku në Afganistan, gjynahi Zotit. Gjakova është Amerikë… rrini qaty se mirë jeni, aq vlini.”
Megjithëse postimi u përball me dyshime në fillim, pjesa më e madhe e komenteve u kthyen në mbështetje të Gjinit, duke lavdëruar punën e tij në Gjakovë dhe duke e inkurajuar për balotazhin që po afron.
“Suksese Kryetar, kismet plus 4 tjera… edhe diaspora tash po dallon të mirët prej të këqijve,” – shkruan një mbështetës, duke reflektuar atmosferën pozitive që pasoi pas debatit fillestar.
Kujtojmë se Ardian Gjini nuk arriti të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për vetëm 1.5% të votave dhe tani do të përballet në balotazh me Ardian Golën, kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje.



