Gjykata Administrative e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht zbatimin e vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me të cilin ishte formuar një organ kolegjial këshillëdhënës për shqyrtimin e kushteve ndërtimore dhe lejeve ndërtimore.
Sipas aktvendimit AP.nr.628/2026, të datës 30 shtator 2026, Gjykata ka aprovuar kërkesën e paditëses Blerina … për masë të përkohshme të sigurisë dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit nr. 14-020/01-1328../26 të 28 gushtit 2026, deri në marrjen e vendimit përfundimtar në konfliktin administrativ.
Në arsyetim, Gjykata vlerëson se vazhdimi i zbatimit të vendimit të kontestuar mund të prodhojë pasoja juridike dhe ekonomike që, pas përfundimit të procesit, mund të jenë të vështira ose të pamundura për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme.

Gjykata Administrative ka pezulluar vendimin e Përparim Ramës për organin kolegjial që shqyrtonte kushtet dhe lejet ndërtimore. Ligjshmëria e tij tash do të shqyrtohet në themel.Megjithatë, aktvendimi përmban një dallim shumë të rëndësishëm juridik: Gjykata ende nuk ka shpallur përfundimisht të paligjshëm organin e krijuar nga Komuna. Ajo thekson se në shqyrtimin meritor do të vlerësohet pikërisht nëse kryetari i Komunës kishte kompetencë për formimin e këtij organi, çfarë kompetencash mund të ushtronte ai dhe nëse vendimi ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Çështja prek drejtpërdrejt një fushë të ndjeshme të administrimit të kryeqytetit. Dokumentet zyrtare të Komunës tregojnë se procedurat për kushtet dhe lejet ndërtimore përfundimisht trajtohen nga Drejtoria e Urbanizmit, ndërsa në raste të mëhershme organet kolegjiale të formuara nga kryetari kanë dhënë rekomandime për projektet para vendimmarrjes së Drejtorisë.
Vendimi i Gjykatës tash hap edhe pyetje për mënyrën se si janë krijuar dhe funksionuar këto struktura këshilluese në Komunën e Prishtinës, përbërjen e tyre dhe kufirin ndërmjet rolit këshillues dhe kompetencave që ligji ua rezervon drejtorive profesionale.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj aktvendimit brenda shtatë ditësh.



